Latifi për zgjedhjet: Sovrani vendosi për një qeveri të koalicioneve, e jo për një qeveri njëpartiake
Analisti Blerim Latifi rezultatin zgjedhor të së dielës e sheh si vullnet qytetar për qeveri të koalicioneve, “e jo qeveri një partiake”.
Kështu shkroi ai në një reagim në Facebook ku jetëgjatësinë e çfarëdo qeveri të ardhshme, Latifi thotë se varet nga marrëveshja për mënyrën e adresimit të problemeve të mëdha ndërkombëtare të vendit.
Postimi i plotë:
Me gjasë, përkundër dëshirave të partive, Sovrani vendosi për një qeveri të koalicioneve, e jo për një qeveri njëpartiake. Procedurat kushtetuese e qartësojnë procesin politik që e prodhon këtë qeveri. Kushtet themelore janë: koalicioni i numrave në parlament dhe marrëveshja për ndarjen e pushtetit.
Por jetëgjatësia e një qeverie të tillë varet edhe nga një tjetër po aq esenciale: marrëveshja për mënyrën e adresemit të problemeve të mëdha ndërkombëtare të vendit, të cilat presin mbi tavolinën e kryeministrit.
Nëse kjo marrëveshje nuk arrihet ose konsiderohet çështje e dorës së dytë, atëherë çdo qeveri koalicioni është e dënuar të rrëzohet edhe nga era më e vogël e krizave politike. Ashtu siç ka ndodhur disa herë në të shkuarën. Historia përsëritet kryesisht tek ata që nuk marrin mësime prej saj.