Trump vendos tarifa prej 25% në të gjitha importet e çelikut dhe aluminit

Trump vendos tarifa prej 25% në të gjitha importet e çelikut dhe aluminit

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka vendosur 25 për qind tarifa në të gjitha produktet e çelikut dhe aluminit që hyjnë në Shtetet e Bashkuara, duke kërcënuar me përshkallëzim të luftës tregtare, që ka tronditur tregjet në gjithë botën.

Trump ka marrë vendim për rritje të tarifave amerikane ndaj aluminit në 25 për qind, për dallim nga tarifa e mëparshme prej 10 për qind, si dhe i ka anuluar marrëveshjet për kuota, apo përjashtime tjera specifike për të dyja metalet.

Shtëpia e Bardhë e ka konfirmuar se masat do të hyjnë në fuqi prej 4 marsit, raporton Radio Evropa e Lirë.

Tarifat do të zbatohen për miliona tonë të importeve të çelikut dhe aluminit nga Kanadaja, Brazili, Meksika dhe Koreja e Jugut, si dhe shtete tjera, mallrat e të cilave kanë hyrë në SHBA pa ndonjë taksë shtesë.

Trump u ka thënë gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se ky vendim vetëm se do t’i thjeshtojë tarifat ndaj metaleve.

“Është tarifë 25 për qind, pa asnjë përjashtim. Për të gjitha shtetet, pavarësisht ku janë, për të gjitha shtetet”, ka thënë ai.

Trump ka thënë më vonë se do të marrë në konsideratë kërkesën e Australisë për përjashtim prej tarifave në produktet e çelikut, për shkak të deficitit tregtar me SHBA-në.

Statistikat qeveritare dhe ato të industrive tregojnë se Kanadaja, Brazili, Meksika dhe Koreja e Jugut janë vendet prej të cilave importohet më së shumti çelik në SHBA.

Kanadaja është mbrapa 80 për qind të importeve të aluminit në SHBA.

Trump u ka thënë gazetarëve se më 11 apo 12 shkurt do t’i bëjë publike “tarifat reciproke” ndaj shteteve që veçse kanë vendosur tarifa në produktet amerikane.

“Nëse ata kanë vendosur tarifa prej 130 për qind, dhe ne nuk ju kemi vendosur asgjë, nuk do të jetë më ashtu”, ka thënë Trump.

Këshilltari i Trumpit për tregti, Peter Navarro, ka thënë se masat e fundit do t’iu ndihmojnë prodhuesve amerikanë të çelikut dhe aluminit, që të rrisin tregtinë dhe sigurinë kombëtare të SHBA-së.

“Kjo s’ka të bëjë vetëm me tregti. Ka të bëjë me të garantuarit që Amerika nuk do të varet asnjëherë nga shtetet e huaja për industritë kritike sikurse çeliku dhe alumini”.

Ekspertët kanë thënë se tarifat do të prekin gjithë ekonominë e botës.

Shpërndaje në: