Xhaferi: Përfaqësimi i shqiptarëve në ushtri dhe Ministrinë e Mbrojtjes po përkeqësohet
Deputeti i BDI-së, Talat Xhaferi, në një konferencë për media deklaroi se përfaqësimi i shqiptarëve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ushtrinë e Maqedonisë së Veriut është përkeqësuar ndjeshëm.
Ai theksoi se muajt e fundit po zbatohet një politikë diskriminuese, ku shqiptarët po përjashtohen nga pozitat kyçe dhe oficerët me përvojë po degradohen.
Sipas të dhënave të fundit: Nga 10 drejtorë në sistematizimin e ri, asnjë nuk është shqiptar; nga 12 këshilltarë në Ministrinë e Mbrojtjes, vetëm 1 është shqiptar; nga 29 udhëheqës sektorësh në ministri, asnjë nuk është shqiptar; nga 13 udhëheqës sektorësh në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, asnjë nuk është shqiptar; nga 30 komandantë batalionesh, vetëm 5 janë shqiptarë; oficerët shqiptarë me grada të larta dhe kualifikime profesionale po degradohen ose largohen nga pozitat kyçe.
Xhaferi ngriti shqetësimin për përjashtimin e shqiptarëve nga programet e edukimit ushtarak jashtë vendit dhe për rritjen e retorikës nacionaliste.
Ai sipas Klan Macedonia, gjithashtu theksoi se situata në Shërbimin e Inteligjencës Ushtarake është alarmante, pasi as drejtori dhe as tre zëvendësit e tij nuk janë shqiptarë.
Për më tepër, në tri njësitë elitare, si Ujqit, Rangerët dhe Policia Ushtarake, nuk ka asnjë komandant shqiptar, duke e përkeqësuar përfaqësimin shqiptar në ushtri.