Rënia e çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës: Njëri i akuzuar dënohet me 3 vite burgim e 5 mijë euro gjobë, tjetri me 2 vite burgim
![Rënia e çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës: Njëri i akuzuar dënohet me 3 vite burgim e 5 mijë euro gjobë, tjetri me 2 vite burgim](https://www.periskopi.com/wp-content/uploads/2025/02/catia.jpg)
Pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Ylber Jasharit i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ndaj Bekim Baftijarajt i akuzuar për punime ndërtimore të kundërligjshme, lidhur me rastin e shembjes së çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës, ku për pasojë ishte lënduar një qytetare. Jashari u dënua me 3 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë, kurse Baftijaraj u dënua me 2 vite burgim.
Aktgjykimi u shpall të enjten nga gjykatësi Gëzim Ademi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas aktgjykimit, i pandehuri Jashari për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” u dënua me 3 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë, kurse i pandehuri Baftijaraj për veprën penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme”, u dënua me 2 vite burgim.
Të njëjtit obligohen që të paguajnë edhe kompensimin e buxhetit të shtetit në vlerën e dëmit të shkaktuar prej 36 mijë e 450 euro e 29 centë.
Dy të akuzuarit obligohen të paguajnë nga 50 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe nga 50 euro për fondin e kompensimit të viktimave./betimipërdrejtësi