Ligjvënësit demokratë: Ndryshimet në agjencitë qeveritare nuk mund të bëhen në mënyrë sekrete
Udhëheqja demokrate e Kongresit paralajmëroi Presidentin Donald Trump të martën se ata do të përdorin bisedimet e ardhshme mbi buxhetin si një mjet për të luftuar ndryshimet e administratës në agjencitë qeveritare të Shteteve të Bashkuara.
Paralajmërimet e demokratëve pasojnë vendimin e Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), të drejtuar nga sipërmarrësi Elon Musk, për ta kaluar Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) nën kontrollin e Departamentit të Shtetit në fillim të kësaj jave. Administrata e Presidentit Trump ka thënë se po rishikon ndihmat amerikane të USAID-it për vendet e tjera të botës për t’u “siguruar që ato të jenë në përputhje me agjendën Amerika e Parë”.
“Ajo që DOGE po bën nuk është demokraci”, u tha gazetarëve të martën udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer. “Demokracia është e hapur. Ajo nuk është sekrete.”
Demokratët mund të kundërshtojnë disa nga ndryshimet më të fundit në qeverinë amerikane, duke mos votuar për projekt-ligjin e ri të shpenzimeve qeveritare. Buxheti aktual i qeverisë skadon më 14 mars.
Të hënën, ligjvenës demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit protestuan jashtë zyrave të mbyllura të USAID-it, duke thënë se administrata e Presidentit Trump kishte tejkaluar autoritetin e saj.
“Nëse doni ta ndryshoni një agjenci, ju mund ta bëni këtë përmes miratimit të një ligji”, tha senatori demokrat Brian Schatz. “Ju nuk mund të mbyllni me urdhër ekzekutiv apo të merrni nën kontroll serverat e një agjencie që nuk ju pëlqen. Sistemi amerikan i qeverisjes nuk funksionon kështu.”
Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar menaxhon programe të ndihmave për vendet e huaja me vlerë prej dhjetëra miliaradë dollarësh.
“Kushtetuta kërkon që fondet e miratuara nga Kongresi të shpenzohen nga Presidenti dhe administrata e tij”, tha të martën udhëheqësi demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries. “Kushtetuta kërkon që presidenti të zbatojë ligjet me besnikëri. Marrëveshjet e mëparshme për shpenzimet qeveritare të miratuara nga Kongresi janë pjesë e ligjeve të vendit dhe shkelja e tyre përbën shkelje të Kushtetutës. Për këtë arsye ka filluar një valë e padive të drejta gjyqësore.”
Republikanët në Kongres kanë shprehur mbështetje për përpjekjet për të eliminuar korrupsionin dhe shkeljet në sistemin e ndihmave amerikane për vendet e tjera.
“Nuk mendoj se ata po mbyllin një agjenci. Ata kanë të drejtë të rishikojnë fondet dhe mënyrën se si merren ato vendime mbi ndihmat për botën e jashtme dhe cilat përparësi të vendit po financohen”, u tha gazetarëve të martën udhëheqësi i shumicës në Senat, John Thune. “Mendoj se kjo është ndoshta e vërtetë për çdo administratë. Ka shumë programe të autorizuara dhe të financuara nga kjo agjenci, disa prej të cilave mendoj se funksionojnë në mënyrën se si është parashikuar dhe disa jo.”
Shtëpia e Bardhë kritikoi projektet e USAID-it që mbështesin nismat e diversitetit dhe barazisë dhe përpjekjet e tjera që i konsideron si abuzim të fondeve të taksapaguesve.
“Nëse ka një mashtrim masiv, nëse fondet nuk po përdoren për qëllimet e parashikuara nga ligjet e miratuara nga Kongresi dhe të nënshkruara nga presidenti, atëherë ne duhet të jemi të informuar për këtë”, tha Roger Wicker, kryetar i Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura, për kanalet amerikan “CNN” dhe “CBS” të hënën.
“Për një kohë të gjatë unë kam menduar se USAID-i është mënyra jonë e duhur për të luftuar Nismën “Një Brez, Një Rrugë”, përmes së cilës Kina po përpiqet të shtrijë ndikimin e saj në mbarë botën, duke përfshirë Afrikën, Amerikën e Jugut dhe Hemisferën Perëndimore”, theksoi senatori Wicker. “Ne kemi nevojë për një program ndihmash që mund t’i përgjigjet përpjekjeve kineze, por kjo duhet të bëhet në përputhje me ligjet ekzistuese të Shteteve të Bashkuara.”
Udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer tha të martën se ai i mbështet përpjekjet për eliminimin e mashtrimit dhe abuzimit, por kritikoi shpejtësinë dhe fshehtësinë e këtij procesi./VOA/