KQZ: Gati fletëvotimet e 9 shkurtit
Derisa Kosovën e ndajnë edhe pak ditë nga zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit, fletëvotimet për këtë proces tashmë janë gati.
Në total, sipas vendimit të KQZ-së, janë shtypur 1,752,650 fletëvotime, e prej tyre ndahen në ato të rregullta, me kusht, për votimin e personave me nevojave të veçanta, por edhe ato rezervë, si dhe për votimin në përfaqësi diplomatike.
“Sipas vendimit të KQZ-së janë shtypur 1,752,650 fletëvotime, prej të cilave 1,664,100 për votimin në vendvotime të rregullta, 28,450 për votimin me kusht; 38,650 për votimin e personave me nevoja të veçanta dhe si fletëvotime rezervë; dhe 21,450 për votimin në përfaqësi diplomatike. Bazuar në Listën Votuese të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote është 2,075,868 votues, prej të cilëve 1,970,944 votues janë votues që i takojnë Listës Votuese brenda Kosovës dhe 104,924 votues janë pjesë e Listës Votuese jashtë Kosovës. Andaj, sipas vendimit të KQZ-së, do të shtypen 323,218 apo 15.57% fletëvotime më pak se numri i votuesve. Kjo është një praktikë e ndjekur nga KQZ edhe në proceset e kaluara zgjedhore”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.