Mustafa: Të dielën sillni të gjithë në vendvotim, ta bëjmë ndryshimin bashkë
Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, në një konferencë për media sot, ka bërë thirrje për mobilizim të qytetarëve në prag të zgjedhjeve të së dielës, duke theksuar se vendi është në prag të një ndryshimi të madh politik.
“Katër ditë nga sot po vije ndryshimi në Kosovë! Këto janë ditë historike. E ndjejmë në rrugë, e ndjejmë në tubime, e ndiejmë në çdo vend që takojmë njerëzit. Ata duan ndryshim. Ju doni ndryshim. Dhe së bashku, ne do ta sjellim ndryshimin. LDK po ngritët dhe bashkë me ne po ngritët e gjithë Kosova.” – tha Mustafa.
Mustafa i bëri thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në votime të dielën dhe të votojnë për programin dhe vizionin e LDK-së në krye me kandidatin për kryeministër, Lumir Abdixhiku.
“Ju takon juve, grave dhe burrave të shkëlqyeshëm të Kosovës, të dilni të gjithë të dielën dhe të sillni ndryshimin që të gjithë e duam dhe kemi nevojë për të. Të dielën në vendvotim sillni miqtë tuaj, sillni familjet tuaja dhe së bashku do të sjellim ndryshimin. Votoni LDK-në. Votoni Lumirin. Vota 124.” – tha zëdhënësi i LDK-së.