Ofendimet ndaj Grenellit, Arifi: Në vend që ta shani atë, pyeteni Kurtin pse gënjeu
Një valë e madhe sharjes e fyerjesh ndaj Richard Grenell – të emëruarit të Donald Trump për Misione të Posaçme në botë – ka vërshuar rrjetete sociale pasi ai përgënjeshtroi Albin Kurtin i cili gjatë një tubimi zgjedhor tha të pavërtetë se “kurrë më të mira nuk kanë qenë marrëdhëniet Kosovë – ShBA”.
Ish-diplomati, Avni Arifi, përmes një reagimi në rrjete sociale e ka quajtur “të pabesueshme” gjendjen me sulme sistematike ndaj Grenell për çka tha se në vend se të shahet Grenelli “pyesni Kurtin pse nuk e tha të vërtetën”.
Postimi i plotë:
E pabesueshme çfarë lexon njeriu në rrjetet sociale për Richard Grenell!
I ka kapur euforia proletariatin, thuaj ti, sikur ai të ishte deputet i PDK-së, LDK-së apo AAK-së. A jeni more normalë?a
Richard Grenell nuk është as njeri i Serbisë as i Kosovës as i opozitës Kosovare e nuk është më as ambasador i SHBA-së në Gjermani. Pas zgjedhjeve në SHBA më 5 nëntor 2024, ai është bërë personi më i fuqishëm dhe më i afërt i presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Grenell i shërben vetëm presidentit Trump dhe Shteteve të Bashkuara. Ai nuk është më lobist, as mik i askujt, dhe me siguri nuk i intereson fare as për pozitën, as për opozitën në Kosovë.
Grenell nuk shqetësohet aspak nëse deklaratat e tij i shtojnë apo i ulin përqindjet e mbështetjes Kurtit apo opozitës.
Qëndrimi i tij i fundit ishte një sqarim për Kosovën: Ishte përgënjeshtrim i asaj që tha Kurti, se raportet Kosovë-SHBA janë shumë të fuqishme.
Ai tha të vërtetën dhe, për momentin, është përfaqësuesi më i besueshëm i qeverisë amerikane.
Në vend që ta shani Grenellin, pyesni Kurtin pse nuk e tha të vërtetën. Mos harroni: Grenell është qeveria amerikane. Ai është edhe Bondstilli, edhe ushtria amerikane në Kosovë, edhe mbështetja diplomatike dhe ekonomike për Kosovën. Tashmë, gjithçka kalon përmes Grenellit.