Muharremi: Koha nuk punon më për LVV’në, nëse nuk reformohen do të tkurren në minimum
Njohësi i ekonomisë, Shenoll Muharremi ka analizuar fushatën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarit të kësaj partie Albin Kurtit.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Muharremi vlerësoi se “duhen reforma në Vetëvendosje”.
Madje Muharremi tha se kryetarët e partive opozitare, Lumir Abdixhiku dhe Memli Krasniqi me programet e tyre zgjedhore kanë lënë prapa Albin Kurtin.
“Kjo situatë po tregohet tepër problematike për LVV-në dhe do të thellojë vështirësitë në vitet e ardhshme. Kur të konfirmohet që Strategjia 500k nuk ka qenë e duhur dhe ka dështuar, aty do të fillojnë telashet e mëdha për strategët dhe menaxhmentin e LVV-së. Ata do të përballen me një sfidë strukturore, ku ose duhet të adaptohen dhe ndryshojnë për t’u ballafaquar me forcat e reja konkurruese në politikë, ose do të vazhdojnë të tkurren deri në nivelin minimal”, ka shkruar Muharremi mes tjerash.
Postimi i plotë:
Koha Nuk Po Punon Më Për LVV-në: Reforma është e Paevitueshme
Një gjë tjetër që e kemi mësuar këtë muaj është se Albin Kurti nuk po mund të garojë me Lumir Abdixhikun dhe Memli Krasniqin. Ky lloj kandidati dhe koncepti janë të papërshtatshëm për LVV-në dhe Kurtin, të cilët në thelb janë një frymë nacionaliste në modelin e Lidhjes së Prizrenit dhe Vilajetit të Kosovës.
Ky lloj politikanësh të rinj, me programe e projekte konkrete zhvillimore dhe me qasje pozitive duke shikuar kah e ardhmja, kanë zënë hapin e duhur gjatë fushtës zgjedhore, duke i lënë pas Kurtin dhe LVV-në. Ata kanë prezantuar dhe janë fokusuar në programet, projektet dhe ofertat e tyre zgjedhore për të ardhmen.
Kurti dhe LVV, në anën tjetër, nuk janë ballafaquar fare me ta. I kanë shmangur debatet dhe përballjet direkte. Kanë kërkuar strehë në të kaluarën. I kanë kërkuar ‘komandantët’ dhe klasën e vjetër, por nuk kanë gjetur vëmendjen e duhur.
Pastaj kur kanë kuptuar që strategjia e tyre zgjedhore mund të ketë qenë e gabuar, i kanë sulmuar të gjithë, përfshirë grupet dhe frymën e re të opozitës. Gjithashtu as program nuk kanë përgatitur dhe ofruar duke menduar që populli do i votoj ‘pa qare’.
Pra, kjo do të jetë një sfidë afatgjatë për Kurtin dhe LVV-në. Ata nuk mund të shmangin përballjen me Krasniqin dhe Abdixhikun, sepse ata nuk do të shkojnë askund. Në anën tjetër, LVV nuk mund të ketë dominancën dhe të veprojë pa ta ose larg ndikimit të tyre.
Kjo situatë po tregohet tepër problematike për LVV-në dhe do të thellojë vështirësitë në vitet e ardhshme. Kur të konfirmohet që Strategjia 500k nuk ka qenë e duhur dhe ka dështuar, aty do të fillojnë telashet e mëdha për strategët dhe menaxhmentin e LVV-së. Ata do të përballen me një sfidë strukturore, ku ose duhet të adaptohen dhe ndryshojnë për t’u ballafaquar me forcat e reja konkurruese në politikë, ose do të vazhdojnë të tkurren deri në nivelin minimal.
Koha nuk punon për LVV-në më. Ata duhet domosdoshmërisht të reformohen, si në koncept ashtu edhe në kapacitete, për të qenë një forcë konkurruese në tregun e partive politike në Kosovë. Ky vend ka nevojë për një LVV të fortë dhe të përgatitur mirë, por jo me konceptin e “Lidhjes së Prizrenit”, por me një parti që ofron zgjidhje për sfidat moderne të kohës për qytetarët e Kosovës, sidomos që ka një frymë bashkëpunimi dhe që nuk përdor metoda polarizuese në shoqëri.