Hamiti: Një tjetër qeveri e majtë e Kurtit do ta rrezikonte Kosovën – qytetarët e kanë në dorë fatin e shtetit
Anëtari i kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka thënë se gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje, Kosova s’mori asnjë njohje, asnjë anëtarësim relevant ndërkombëtar e VV-ja dështoi keq në përpjekjen për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Hamiti tha se për fajin e qeverisë së VV-së, Kosova po i vuan sanksionet e BE-së prej vitit 2023 dhe sipas tij, vendi i ka humbur më së shumë se gjysmë miliardi euro deri tani.
“Reputacioni ndërkombëtar i Kosovës, si vend i sanksionuar ndërkombëtarisht, më i keqi ndonjëherë. Jemi më larg integrimeve euro-atlantike sesa që kemi qenë para 4 vitesh”.
“Marrëdhëniet e kësaj Qeverie me të dyja administratat amerikane, demokrate dhe republikane, në pikën më të ulët që i ka pasur Kosova ndonjëherë me SHBA-të, aleatin jetik të Republikës së Kosovës. Ndërkohë, Departamenti amerikan fliste vjet për ‘korrupsion të rëndë qeveritar’ në Kosovë”, tha Hamiti.
Më tej, Hamiti tha se korrupsioni masiv qeveritar, që po del në pah ditë për ditë, po e nxjerr fytyrën e vërtetë të Qeverisë Kurti, para qytetarëve të vendit dhe siç tha ai, të gjithë po i vuajnë pasojat e kësaj qeverie.
“Qeveria e majtë e Albin Kurtit i ka sjellë dëme të pamatshme Kosovës në këto katër vjet. Kosova s’mund ta përballojë një qeveri të tillë më. Do ta rrezikonte shtetin e Kosovës”.
“Qytetarët tanë e kanë në dorë fatin e vet dhe të shtetit të vet. Të dielën mund të zgjedhin një Qeveri të djathtë, të drejtuar nga LDK-ja, për ta kthyer vendin në rrugën e zhvillimit dhe të integrimit euro-atlantik”, tha ai.