Patrullimi i përbashkët ajror SHBA-Filipine mbi Detin e Kinës Jugore nxit reagimin e Kinës

Patrullimi i përbashkët ajror SHBA-Filipine mbi Detin e Kinës Jugore nxit reagimin e Kinës

Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara dhe të Filipineve kanë mbajtur patrullime të përbashkëta mbi Detin e Kinës Jugore, duke e zemëruar Kinën.

Edhe vetë Kina kreu një “patrullim rutinor” mbi një cekëtinë të kontestuar.

Nën presidentin Ferdinand Marcos Jr., Filipinet dhe Shtetet e Bashkuara e kanë rritur angazhimin për sigurinë, pas rritjes së tensioneve mes Filipineve dhe Kinës në rrugën e dendur ujore.

Ushtrimi njëditor mes dy vendeve aleate u zhvillua në Detin e Filipineve Perëndimore, tha zëdhënësja e Forcave Ajrore të Filipineve, Maria Consuelo Castillo, duke e përdorur termin e Manilës për ujërat në Detin e Kinës Jugore, të cilat shtrihen brenda zonës së saj ekonomike.

“Synimi i ushtrimit ishte përmirësimi i koordinimit operacional, rritja e ndërgjegjësimit mbi hapësirën ajrore dhe forcimi i aftësive për përdorimin fleksibil të forcës luftarake midis dy forcave ajrore”, tha Castillo në një deklaratë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Castillo tha se në ushtrim morën pjesë tre avionë luftarakë filipinas, FA-50, dhe dy bombardues amerikanë B1-B, duke përfshirë një fluturim mbi cekëtinën Scarborough, ku forcat ajrore kineze gjithashtu kryen atë që e quajtën patrullë rutinore.

Ushtria e Kinës i akuzoi Filipinet se iu bashkua patrullimeve që, sipas saj, ishin organizuar nga vende të huaja për ta “minuar paqen dhe stabilitetin në Detin e Kinës Jugore”.

Njësitë e forcave ajrore kineze do të “jenë në gatishmëri të lartë, do ta mbrojnë me vendosmëri sovranitetin territorial dhe të drejtat detare të Kinës dhe do ta kontrollojnë çdo aktivitet ushtarak që destabilizon Detin e Kinës Jugore”, shtoi ajo.

Kina pretendon se pothuajse e gjithë kjo rrugë ujore strategjike është e saj, pavarësisht pretendimeve nga Indonezia, Malajzia, Filipinet dhe Vietnami. Kjo rrugë ujore është rrugëkalim për tregti vjetore në vlerë 3 trilionë dollarë.

Në një konferencë për shtyp të martën, marina filipinase tha se po i “vëzhgon nga afër” tri anije të marinës kineze brenda zonave detare të Manilës, përfshirë një fregatë të pajisur me raketa.

“Prania e Marinës së Ushtrisë Çlirimtare Popullore pasqyron shpërfilljen e plotë të ligjit ndërkombëtar nga Republika Popullore e Kinës ndaj dhe minon paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha zëdhënësi i marinës, John Percie Alcos.

Të hënën, agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua tha se kalimi i flotës kineze ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar, duke cituar një zëdhënës të Komandës së Zonës Jugore të PLA-së.

Një tribunal ndërkombëtar i arbitrazhit vendosi në vitin 2016 se pretendimet e Kinës, të bazuara në hartat e saj historike, nuk kanë asnjë bazë ligjore ndërkombëtare, por Pekini nuk e njeh këtë vendim.

Shpërndaje në: