Trumpi e nënshkruan urdhrin për emërimin e Grenellit, e lavdëron për një punë në ShBA
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të hënën e nënshkroi urdhrin ekzekutiv për emërimin e ish-emisarit amerikan për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, në pozitën e emisarit të ShBA-së për Misione të Posaçme.
Gjatë nënshkrimit të urdhrit ekzekutiv për emërimin e Grenellit si pjesë e disa urdhrave të tjerë, kreu i Shtëpisë së Bardhë pati fjalë të mira për një punë të ish-ambasadorit amerikan në Gjermani, në Kosovë i njohur për kritikat e ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe kabinetit të tij qeveritar.
Para se ta nënshkruante urdhrin për emërimin e Grenellit, Trumpi tha se i kishte thënë emisarit të tij që ta lëshonte ujin në Kaliforni dhe kjo gjë u bë, edhe pse nuk ishte veprim i lehtë. Para disa javëve, Kalifornia u godit nga zjarre shkatërruese që shkaktuan viktima e dëme masive materiale.
Dikush në zyrë i tha Trumpit se Grenelli kishte një udhëtim të rëndësishëm jashtë vendit të premten.
“Ai pati një udhëtim shumë të madh jashtë të premten, ke të drejtë. Do të flasim për këtë. Ai është njeri i mirë” – tha presidenti amerikan. Shkëmbimi i këtyre fjalëve po i referohej takimit të Grenellit me presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, me ç’rast e siguroi lirimin e gjashtë amerikanëve që po mbaheshin në shtetin e Amerikës Jugore që nuk ka raporte të mira me Uashingtonin.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, vizita disaorëshe e Grenellit ishte e përqendruar në përpjekjet e Trumpit për të kthyer venezuelas nga ShBA-ja në atdheun e tyre.
Të shtunën, Trumpi tha në rrjete sociale se ishte i lumtur që gjashtë amerikanët po ktheheshin në shtëpi.
Të hënën, përmes një shkrimi në rrjetin X, Grenelli e përgenjeshtroi haptazi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se raportet e ShBA-së me kabinetin e tij janë më të mira se me qeveritë e tjera kosovare.
“Retorika e përdorur nga Kurti tani, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në dhe më mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është absolutisht e rreme. Mos u mashtroni” – shkroi ai./Nacionale