Regjisori Sylejmani: Kosova nuk mund të ndërtojë një të ardhme të qëndrueshme në kinematografi vetëm me duartrokitje
Regjisori kosovar, Shkelzen Sylejmani është shprehur i pakënaqur me trajtimin e kinemasë nga shteti.
Ai thotë se pavarësisht rrugëtimit të suksesshëm të kinemasë, mbështetja e shtetit dhe financimi ende është pas dore.
Sylejmani thotë se kinemaja kosovare po e çon popullin drejt suksesit, dhe për të vazhduar kështu, ai thotë se nuk mjaftojnë fjalë boshe.
Postimi i plotë:
Kinomatografia e Kosovës, kërkon përkujdesje.
Në një vend të vogël, me një histori të madhe, kinemaja ka arritur të bëhet një nga zërat më të fuqishëm të identitetit kulturor. Kosova, përkundër sfidave të shumta, ka depërtuar në skenën ndërkombëtare të filmit, duke marrë pjesë në festivalet më prestigjioze dhe duke u vlerësuar për rrëfimet e saj autentike. Ky sukses nuk është i rastësishëm – ai është rezultat i një arti që flet me shpirt, i një kinemaje që nuk imiton, por krijon, dhe i një brezi të filmbërësve që kanë ndërtuar një stil të veçantë filmik.
Filmi kosovar është i guximshëm, i pasur me tema dhe i frymëzuar nga përvoja të vërteta. Ai nuk është një reflektim i rremë i realitetit, por një pasqyrë e vërtetë e shpirtit të popullit. Në rrugëtimin e tij, ky art ka lindur me dhimbje, është formuar nga historia dhe ka gjetur gjuhën e vet vizuale, një stil që e dallon dhe e vendos në një kategori të veçantë. Në këtë kinematografi, ka luanë dhe luanesha që kanë ndërtuar me punë të palodhshme një industri që nuk mund të injorohet. Ata nuk e kanë pritur suksesin, e kanë ndërtuar atë, duke e bërë filmin një trashëgimi të gjallë që i hap Kosovës dyer të reja në botë.
Por, në këtë rrugëtim të suksesshëm, paradoksi mbetet: pse shteti, politika dhe institucionet që duhet të jenë shtylla e mbështetjes, ende e shohin filmin si një margjinë të kulturës dhe jo si një fuqi të vërtetë kombëtare? Si ka mundësi që një industri që promovon vendin më shumë se çdo fushatë diplomatike, vazhdon të mbetet e lënë pas dore nga ata që duhet ta financojnë dhe ta mbështesin?
Institucionet e filmit – Akademia e Arteve dhe Qendra Kinematografike – kanë bërë një punë të jashtëzakonshme në krijimin e një brezi të ri të filmbërësve dhe në formësimin e një skene që tashmë ka fituar vendin e saj në botë. Ato e kanë ndërtuar këtë sukses pa pritur mirënjohje, shpesh duke punuar me mjete të kufizuara, por me një vizion të qartë. Ata e kanë parë filmin jo si një luks, por si një mjet identiteti dhe fuqizimi. Dhe për këtë, meritojnë falënderim të thellë.
Por, falënderimi nuk mjafton. Kosova nuk mund të ndërtojë një të ardhme të qëndrueshme në kinematografi vetëm me duartrokitje pas sukseseve ndërkombëtare. Nuk mund të festojmë nominimet për çmimet më të larta të filmit, ndërkohë që regjisorët dhe producentët luftojnë për mbështetje financiare. Nuk mund të kërkojmë më shumë filma të suksesshëm kur politika ende nuk e ka kuptuar se filmi është ambasadori më i mirë i një shteti në botë.
Kinemaja kosovare është në rrugën e duhur. Ajo po e çon Kosovën drejt suksesit si popull, duke e vendosur atë në hartën e artit dhe kulturës botërore. Por për të mbetur në këtë rrugë, nuk mjaftojnë fjalët dhe premtimet boshe. Duhet mbështetje konkrete, strategji të qarta dhe një angazhim i sinqertë për ta bërë filmin një industri të qëndrueshme dhe jo thjesht një shpërthim të rastësishëm suksesi.
Koha e injorimit dhe premtimeve të zbrazëta ka kaluar. Kinemaja e Kosovës e ka dëshmuar veten. Tani është radha e strukturave shtetërore që ta dëshmojnë përkushtimin e tyre. Përndryshe, historia do t’i mbajë mend si ata që patën mundësinë të mbështesin një epokë të artë, por zgjodhën të mbeten spektatorë në vend të mbështetësve.
Sh.S