Mbi 15 mijë vota transportohen me kombibus nga Cyrihu në Prishtinë, ngritët alarmi për manipulim
Sekretari organizativ i AAK-së për diasporë, Sokol Mehmetaj është shprehur i shqetësuar lidhur me organizimin e transportit të votave nga Cyrihu i Zvicrës.
Mehmetaj shkroi në Facebook se votat po transporoheshin në mënyrë të rrezikshme për një periudhë prej të paktën tre ditësh.
Ai thotë se është e pakuptueshme që KQZ “zgjodhi një transport rrugor kaq të rrezikshëm, kur zgjidhjet më të sigurta dhe më të shpejta, si dërgimi me rrugë ajrore, ishin kryesisht të realizueshme”.
“Transporti ajror jo vetëm që do të kishte siguruar shpërndarje më të shpejtë, por edhe siguri më të mirë të votave, duke ulur ndjeshëm mundësitë e manipulimit”, shkroi ai.
Postimi:
Zonja, zotëri,
Dëshiroj të shpreh pakënaqësinë time më të thellë për organizimin e papranueshëm të transportit të votave nga Cyrihi. Si sekretar organizativ i AAK-së për diasporë, jam thellësisht i shqetësuar për mënyrën e kryerjes së këtij operacioni dhe rreziqet serioze që paraqet për integritetin e rezultateve.
Në mëngjesin e sotëm më daten 03.01.2025, ne i morëm fletëvotimet nga posta i numëruam dhe më pas i çuam në konsullatë në Cyrih. Gjatë këtij akti ishin të pranishëm të gjithë komisionerët e secilës parti për të garantuar transparencën e procesit.
Mirëpo, u informuam se 15483 vota do të transportohën me një autobus, më targa diplomatike shqiptare,CD-55 27A, të shoqëruar nga një shofer dhe ndihmësi i tij, në një udhëtim disaditor nëpër Shtutgart,Vienë,Zagreb,Lubjanë dhe Prishtinë. Kjo përbën një problem të madh jo vetëm për sigurinë fizike të votave, por edhe për transparencën e procesit zgjedhor.
Është krejtësisht i papranueshëm fakti që këto vota po transportohen në mënyrë kaq të rrezikshme për një periudhë prej të paktën tre ditësh. Si mund të sigurohemi që këto vota, të ruajtura në një automjet në tranzit, të mos manipulohen ose ndryshohen gjatë këtij udhëtimi të gjatë? Rreziku i mashtrimit është i lartë dhe kjo vë seriozisht në pikëpyetje besimin e publikut në procesin zgjedhor.
Është e pakuptueshme që KQZ zgjodhi një transport rrugor kaq të rrezikshëm, kur zgjidhjet më të sigurta dhe më të shpejta, si dërgimi me rrugë ajrore, ishin kryesisht të realizueshme. Transporti ajror jo vetëm që do të kishte siguruar shpërndarje më të shpejtë, por edhe siguri më të mirë të votave, duke ulur ndjeshëm mundësitë e manipulimit.
Besoj se KQZ ka dështuar në misionin e saj për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor duke vënë në funksion një organizim kaq të metë. Siguria e votimit duhet të jetë prioriteti kryesor dhe është e domosdoshme që në të ardhmen të merren masa më rigoroze për të parandaluar përsëritjen e kësaj lloj situate.
Kërkoj nga KQZ që të merrni menjëherë masat e nevojshme për të përmirësuar organizimin e këtij lloj transporti dhe për të garantuar sigurinë e zgjedhjeve . Mungesa e ashpërsisë e vërejtur këtu nuk është e pranueshme dhe shpresoj se do të ndërmerren veprime konkrete për të rikthyer besimin e qytetarëve në sistemin zgjedhor.