Maliqi: Mundësia e tërheqjes së ushtarëve amerikan prej KFOR është përqeshur, por prej 20 janarit është mjaft reale

Maliqi: Mundësia e tërheqjes së ushtarëve amerikan prej KFOR është përqeshur, por prej 20 janarit është mjaft reale

Analisti Agon Maliqi shprehet i shqetësuar lidhur me suspendimin e aktiviteteteve të USAID-it dhe ndihmës amerikane në nivel botëror.

Ai në një reagim në Facebook shkruan se kushdo qē vjen në qeveri duhet ta dijë se kemi të bëjmë me një administratë amerikane të pamëshirshme.

Që përvec kësaj, sipas tij administrata amerikane nuk e sheh edhe aq të arsyeshme prezencën e forcave amerikane në Evropë.

Madje Maliqi nuj e përjashton tërheqjen e trupave amerikan prej KFOR-it.

 

Postimi i plotë:

Uragani Trump, ndihma amerikane dhe KFOR-i

Kosova përveç të qenit në masa kufizuese prej BE-së tani po preket edhe nga suspendimi i përkohshëm i aktiviteteve të USAID dhe të ndihmës amerikane në nivel botëror, për të cilat gjithashtu ka edhe pikëpyetje se si dhe nëse do të vazhdojnë në afat të gjatë (Trump psh thotë se dëshiron t’ia vë drynin USAID).

Cinikët në mesin tonë u përqëndruan te ndikimi i këtyre masave te shoqëria civile, madje disa edhe iu gëzuan faktit se OJQ-të mund të mbesin pa fonde. Por duhen ta kenë parasysh se USAID shumicën thuajse absolute të programit e ka me institucionet e shtetit (qeverinë, gjykatat, prokuroritë apo komunat) dhe me sektorin privat (sidomos eksportuesit) ndërsa pjesën kryesore të mbështetjes për shoqërinë civile e mbulojnë fondacionet e tjera të pavarura nga qeveria amerikane. Veç kësaj SHBA është shteti me hisen më të madhe në Bankën Botërore, e cila gjithashtu mund të preket nga rishikimi i ndihmës, ndërsa në Kosovë e ka edhe programin e madh me MCC.

Qytetari mesatar i Kosovës mund të mos e dijë se shumëçka që sot ekziston në Kosovë në shërbimet e institucioneve e deri te rritja e eksporteve të industrive nuk do të ishte e mundur pa ndihën e USAID, BE apo të Bankës Botërore, të cilat vijnë jo vetëm me para por edhe me ekspertizë të cilën Kosova nuk e ka. Tani shumë reforma apo projekte infrastrukturore do të jenë në vendnumëro dhe shumë shërbime mund të degradojnë. Situata dikur ndoshta edhe do të stabilizohet, disa programe mund të vazhdojnë dhe Kosova disa kapacitete i ka forcuar vetë. Por efekti ekonomik i kësaj situate do të ndihet menjëherë nga shumë profesionistë me humbjen e vendeve të punës dhe nga shumë biznese që u shërbejnë atyre.

Kushdo që vjen në qeveri nga zgjedhjet e së dielës duhet ta ketë një plan për të manovruar në këtë situatë në aspektin ekonomik dhe institucional. Por duhet ta lexojë këtë rrethanë edhe më gjërë si sinjal të qartë politik se kemi të bëjmë me një administratë amerikane të pamëshirshme ndaj kujtdo që ndjen se po përfiton prej Amerikës edhe në aspektin e sigurisë, dhe e cila nuk e sheh edhe aq të arsyeshme prezencën e forcave amerikane në Evropë. Deri tani mundësia e tërheqjes së ushtarëve amerikanë prej KFOR-it është përqeshur me tallje si propagandë frikësuese, por prej 20 janarit është mundësi mjaft reale.

Shpërndaje në: