Tragjedia në Gjakovë, kujdestari: Kanë qenë nxënës të shkëlqyer, në objektin që ua mori jetën luanin deri në 20 fëmijë
Pasditen e së shtunës, Jabllanica e Gjakovës u trondit me vdekjen e tre të miturve.
Teksa qëndronin në një objekt të pabanueshëm, për fat të keq u shembe dhe mori jetët e tre fëmijëve.
Lidhur me këtë ngjarje të trisht, ka folur kujdestari i tre të ndjerëve. Ai u shpreh se në atë objekt kanë lozur çdo ditë nga 15 deri në 20 fëmijë, teksa shton se numri i të vdekurve ka mundur të jetë edhe më i madh.
“Ata fëmijë kanë qenë nxënës të shkëlqyer, tre mund t’i quaj trëndafila në rritje, mirëpo ja që jeta ndonjëherë është e padrejtë. Kjo ngjarje na ka pikëlluar jashtëzakonisht shumë, na ka tronditur ky rast, gjë që është ende e pabesueshme për ne. Fëmijët kanë lozur çdo ditë në atë objekt të pabanueshëm, dhe sipas fjalëve të tyre aty kanë lozur 15 deri në 20 fëmijë, thuaja çdo ditë”, u shpreh kujdestari, transmeton KlanKosova.
Nga ana tjetër, drejtori i shkollës “Dëshmorët e Kombit”, Jeton Masori, tha se tre fëmijët e ndjerë ishin nxënës jashtëzakonisht me sjellje të mira dhe të shkëlqyer.
“Ne jemi të tronditur nga ngjarja tragjike që ndodhi me nxënësit tanë. I shprehu ngushëllime familjeve, nxënësve, mësimdhënësve, dhe të gjithë komunitetit për humbjen tragjike, humbjen e rëndë të nxënësve tanë. Unë si drejtor i shkollës, Idealin, Ramën i kemi pasur deri vitin e kaluar nxënës të shkollës tonë, kanë qenë nxënës të shkëlqyeshëm, të edukuar, dhe nxënës me një kulturë të lartë. Kanë qenë nxënës shumë të mirë. Vetonin e kemi pasur në klasën e 8-të, i cili ka qenë nxënës me sjellje të mira”, u shpreh ai.