25 vjet nga masakra e 3 dhe 4 shkurtit në veri të Mitrovicës – Ivanoviq ndër akterët kryesor të vrasjes, Kurti e kishte shpallur hero
Sot janë bërë 25 vjet nga masakra në natën e 3 dhe 4 shkurtit në veri të Mitrovicës.
‘Rojat e urës’ patën vrarë dhjetë shqiptarë, në mesin e tyre fëmijë, gra e pleq. U plagosën edhe shumë të tjerë, teksa u dëbuan rreth 12 mijë shqiptarë, të cilët u detyruan të kalojnë në jug të qytetit duke lënë prapa shtëpitë e tyre në flakë.
KMLDNJ pati thënë se të gjitha këto vrasje janë bërë në prani të ushtarëve francezë të KFOR-it dhe policisë ndërkombëtare.
Në natën ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit janë vrarë Nezir e Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi.
Sipas dëshmitarëve, operacionin e vrasjeve e kishte udhëhequr MPB e Serbisë, në krye ish-komandantin Dragan Delibashiq, Oliver Ivanoviq dhe të tjerë.
Gjykata Themelore në Mitrovicë më 2014 pati shpallur fajtor Ivanoviq me nëntë vjet burg për krime lufte ndaj shqiptarëve gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Më 16 janar të vitit 2023, kryeministri Albin Kurti kishte zgjedhur fjalët më të mira për ta përkujtuar politikanin serb të vrarë, Oliver Ivanoviq. Për këtë, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje ishte kujdesur që të regjistronte edhe një video-adresim, duke e përshkruar Ivanoviqin si një person të përkushtuar, të hapur, të sinqertë e i respektueshëm.
Kurti shprehte dëshirën e tij që kujtimi për Oliver Ivanoviqin të mbetej i gjallë, si një kujtim i një njeriu që “punoi shumë për një të ardhme të qëndrueshëm dhe për një Kosovë shumë etnike”.
“Sot ne përkujtojmë jetën dhe kujtimin e Oliver Ivanoviqit, në ditën e vdekjes së tij. Mendimet dhe ngushëllimet e mia janë me familjen dhe miqtë e tij. Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij. Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord. Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike.
Pesë vjet më parë, Oliver Ivanoviq u vra në rrugët e Mitrovicës. Të gjithë ata që kryejnë një krim në Kosovë duhet të dalin para drejtësisë dhe më vjen keq që autorët dhe ata që e kanë porositur këtë krim ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë. Nevojitet angazhim i të gjitha institucioneve përkatëse për të gjetur dhe dënuar përgjegjësit për vrasjen e tij.
Vrasja e Oliverit ndikoi gjithë shoqërinë. Ky krim vrau jo vetëm Oliver Ivanoviqin, por edhe pluralizmin politik te serbët. Kosova do të jetë e palëkundur në përkushtimin e saj për të qenë një shoqëri multikulturore dhe shumë etnike ku njerëzit ndihen të sigurt, mund të thonë mendimet e tyre dhe ta trajtojnë njëri-tjetrin me respekt, edhe nëse nuk pajtohen. Në këtë mënyrë të gjithë do ta ruajmë kujtimin e Oliver Ivanoviqit.”, ka thënë Kurti në video-adresimin për Ivanoviqin.