Jehona Lushaku-Sadriu: 200 milionë euro për mësimin tërëditor në Prishtinë
Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka theksuar se programi i partisë së saj synon reformimin e sistemit arsimor dhe rritjen e cilësisë në shkolla. Gjatë emisionit CLICK në RTV21, ajo u shpreh se brenda një mandati, LDK synon të zbatojë mësimin tërëditor në pesë komuna.
Duke folur për ndryshimet e planifikuara, Lushaku-Sadriu theksoi: “Detyrat e shtëpisë do të përfundohen në klasë nën përkujdesjen e mësueses. Mësueses do t’i hiqen orët e Edukatës Fizike, Arti dhe Muzika.”
Ajo shtoi se Prishtina ka nevojë për investime në infrastrukturën arsimore dhe LDK ka planifikuar të ndajë një buxhet prej 200 milionë eurosh për të mundësuar mësimin tërëditor në kryeqytet. “Në Prishtinë ka nevojë për shkolla të reja. Ne e kemi bërë një zotim që 200 milionë euro t’i ndahen kryeqytetit për mësimin tërëditor për katër vite. Për katër vite është e mundshme që çdo shkollë ta zhvillojë mësimin tërëditor nga klasa e parë deri në të pestën,” tha ajo.
Gjithashtu, Lushaku-Sadriu bëri të ditur se një ndër prioritetet e LDK-së është sigurimi i shujtave për nxënësit.
Në kuadër të reformave, ajo njoftoi se LDK ka paraparë 13 lloje aktivitetesh ekstra-kurrikulare, të cilat do të ndihmojnë nxënësit të mësojnë përmes lojës dhe metodave interaktive.
Jehona Lushaku-Sadriu garon me numrin 9 në zgjedhjet e 9 shkurtit në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.