Aktakuza për rastin në KEK | Avokati Zejna sqaron situatën: Akuza ndaj meje do të bie, është e pa bazë
Më 28 janar ishte planifikuar nisja e gjykimit në rastin e PSRK-së në aktakuzën kundër ish-Drejtorit të KEK, Nagip Krasniqi.
Por, kjo seancë dështoi në mungesë të të akuzuarit Ymer Dragusha.
Gjykatësi Rrahman Beqiri bëri të ditur se i akuzuari Dragusha mungon edhe pse të njëjtit Gjykata ia ka dorëzuar ftesën për këtë seancë, ndërsa fletëdorëzimi nuk është kthyer në Gjykatë, për çka nuk mund të konstatohet nëse i ka shkuar ftesa me rregull.
Kurse, mbrojtësja e Dragushës, avokatja Sabrije Krasniqi tha se nuk ka arritur të kontaktojë me Dragushën.
Në këtë aktakuzë, Nagip Krasniqi dhe Ymer Dragusha akuzohen për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”. Krasniqi akuzohet edhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”. Kurse, Isuf Zejna akuzohet për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale keqpërdorim i detyrës zyrtare”. Bauzar në aktakuzë, Dragusha arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë.
Ky i fundit, ka publikuar një deklaratë të tij në Facebook, ku shprehet i bindur se akuza e PSRK-së kundër tij është e pa bazë, sipas tij, dhe që pret që e njëjta do të bie.
“Sa i përket aktakuzës së Prokurorisë Speciale kundër meje, me datë 30.12.2024, ju siguroj se ajo është po aq e pabazuar dhe do të refuzohet nga gjykata, ashtu siç ndodhi me këto shkrime të pavërteta të cilat nuk kaluar testin e organit vetrregullues për sa i përket detyrimeve etike të gazetarëve”, thuhet në statusin e tij.
Pika e parë e dispozitivit të aktakuzës ngarkon Nagip Krasniqin që si kryeshef i KEK-ut dhe Dragusha si u.d i drejtorit të zyrës së prokurimit në periudhën kohore prej 17 janarit 2022 deri më 27 janar 2023, duke keqpërdorur detyrën dhe autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim që t’i mundësojnë përfitim personit tjetër- në këtë rast operatorit ekonomik “Litëin S.A’’, t’ua shkelin të drejtat e personave tjerë, si dhe t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Kosovës.
Aktakuza thotë se duke i shfrytëzuar pozitat zyrtare, me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit i emërtuar si “Riparimi kapital emergjent i kalldasë blloku A5”, kanë vepruar në kundërshtim të plotë me rregullat e përcaktuara me Ligjin me nr.04/L-042 për Prokurim Publik në Republikën e Kosovës.