Muriqi: Nuk po shënoj gola, situatë e vështirë për mua

Muriqi: Nuk po shënoj gola, situatë e vështirë për mua

Vedat Muriqi e ka pranuar se po kalon nëpër një moment të vështirë të karrierës.

Sulmuesi kosovar e ka dhënë një intervistë për mediumin spanjoll “Onda Cero”, përmes së cilit foli për situatën e tij aktuale.

30 vjeçari i ka shënuar vetëm tre gola në këtë sezon, ndërsa i ka dhuruar edhe dy asistime nga 18 ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat, statistika këto të zbehta duke e pasur parasysh se në sezonet e kaluar ishte protagonist tek ekipi ishullor, të cilin e ndihmoi tri herë që të mbetej në La Liga.

“Sulmuesi gjendet në telashe nëse nuk shënon gola. Sezonin e kaluar, unë u përballa me një lëndim serioz, por ia dola ta menaxhoja situatën dhe i shënova shtatë gola. Këtë vit, përkundër faktit se ekipi ynë po ka më shumë posedim dhe po krijon më shumë raste, numri i golave të mia është zvogëluar”, deklaroi fillimisht ish-futbollisti i Rizesporit, Fenerbahçes e Lazios.

“E gjej veten në një pikë të vështirë, por unë kam eksperiencë të mjaftueshme për t’i rikthyer gjërat përmbys, pasi ekipi ka nevojë për më shumë fitore dhe unë për gola. Jam i vendosur që ta thyej këtë rënie personale”, vazhdoi përfaqësuesi kosovar.

“Roli im primar është që t’i ndihmoj shokët e skuadrës, shënimi i golave është kolektiv. Sidoqoftë, nëse unë nuk e gjej golin, trajneri duhet të bëjë zgjidhje alternative. Ky është një veprim i arsyeshëm dhe unë duhet të kontribuoj sa të mundem”, përfundoi futbollisti prizrenas.

Ky mund të jetë sezoni i fundit i Muriqit në Mallorca pasi spekulohet se gjatë vërës që vjen ai mund të rikthehet në futbollin turk.

Shpërndaje në: