Reduktohet lista e dëshmitarëve në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, konfirmon ZPS-ja

Reduktohet lista e dëshmitarëve në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, konfirmon ZPS-ja

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka reduktuar edhe me teje listën e saj të dëshmitarëve në gjykimin ndaj Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Përmes një njoftimi të redaktuar për publikun ZPS me 30 janar ka treguar se nuk do të mbështetët në disa dëshmitë e dëshmitarëve si dhe disa të tjera do t’i dorëzojë në formë të shkruar.

Sipas ZPS-së, pas këtyre ndryshimeve, kanë mbetur edhe gjashtë dëshmitarë për statusin e tyre do të vendoset sa më shpejt që të jetë e mundur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Shpërndaje në: