Hamasi konfirmon vrasjen e shefit të tij ushtarak
Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, ka konfirmuar vrasjen e Mohammed Deif, kreut të krahut të tij ushtarak.
Konfirmimi nga grupi radikal palestinez vjen gjashtë muaj pasi Izraeli kishte njoftuar se e kishte vrarë Deifin. Izraeli kishte thënë se Deif ishte vrarë gjatë sulmeve ajrore në jug të Gazës korrikun e vitit 2024.
Deif për një kohë të gjatë kishte qenë udhëheqës i krahut ushtarak të Hamasit dhe Izraeli ka thënë se ai ishte një ndër arkitektët e sulmit të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit, që nxiti luftën 15-mujore në Gazë.
Për vite të tëra, Izraeli e kishte pasur atë në listën e personave më të kërkuar, ndërkaq që nga viti 2015 ishte në listën amerikane të “terroristëve ndërkombëtarë” .
Deif i kishte mbijetuar një sërë atentatesh të Izraelit dhe ai nuk kishte dalë në publik për dekada të tëra.
Deif kishte marrë nën udhëheqje krahun ushtarak të Hamasit më 2002.
Izraeli gjatë luftës në Gazë ka vrarë edhe naëtarë të tjerë të lartë të grupit radikal palestinez, përfshirë edhe shefin e krahut politik, Ismail Haniyeh.
Konfirmimi nga Hamasi për vrasjen e Deifit, vjen në kohën kur grupi po vazhdon lirimin e pengjeve, në bazë të marrëveshjes së armëpushimit të arritur më herët gjatë këtij muaji.
Marrëveshja parasheh lirimin e mijëra palestinezëve të burgosur në Izrael dhe kthimin e palestinezëve në veri të Gazës.
Lufta në Gazë nisi pasi më 7 tetor 2023, Hamasi sulmoi Izraelin duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 47.000 palestinezë dhe enklava palestineze ka pësuar shkatërrime të mëdha./REL