Ish-senatori Bob Menendez dënohet me 11 vjet burg
Ish senatori Bob Menendez u dënua të mërkurën me 11 vjet burg pasi u gjet fajtor se kishte marrë në formë ryshfeti para dhe kallëpe ari dhe kishte vepruar si një agjent në shërbim të qeverisë egjiptiane.
Dënimi shënon aktin e fundit të rënies për zotin Menendez, i cili u dënua korrikun e kaluar për pasurim nëpërmjet një sërë aktesh korruptive.
Prokurorët thanë se në këmbim të arit, mijëra dollarëve dhe një makine luksoze, demokrati u përpoq të mbronte bashkëpunëtorët nga hetimet penale, u takua me zyrtarë të inteligjencës egjiptiane dhe ndërmori hapa për ta ndihmuar Egjiptin të kishte qasje tek ndihma ushtarake e Shteteve të Bashkuara prej miliona dollarësh.
Zoti Menendez, 71 vjeç, ka deklaruar më herët se do ta apelojë vendimin.
Më herët, të mërkurën, gjykatësi Sidney H. Stein dha dënimin me shtatë vjet burg për Fred Daibes, 67 vjeç, një nga dy biznesmenët e Nju Xhersit, i cili u shpall fajtor se i kishte dhënë ryshfet senatorit Menendez.
Prokurorët kishin kërkuar për të një dënim me nëntë vjet heqje lirie, ndërsa avokatët e tij thanë se ai duhej të dënohej me më pak se dy vjet burg.
Po kështu gjykatësi Stein e gjobiti zotin Daibes, një investitor në fushën e pasurive të paluajtshme, me një gjobë prej 1.75 milionë dollarësh.
Para shpalljes së dënimit, zoti Daibes, me lot në sy, i tha gjykatësit se vendimi i jurisë ishte “në kufijtë e një dënimi me vetëvrasje” duke i bërë thirrje atij të ketë mëshirë, në mënyrë që të kujdesej për djalin e tij 30-vjeçar autik.
Po kështu gjykatësi shpalli masën e dënimit me tetë vjet heqje lirie për biznesmenin e dytë, Wael Hana, dhe e gjobiti atë me 1.25 milionë dollarë.
Para vendimit, zoti Hana i tha gjykatësit se ishte i pafajshëm. Ai shtoi se nuk i kishte dhënë kurrë ryshfet senatorit Menendez, apo të kishte kërkuar shërbimet e tij.
Një biznesmen i tretë u deklarua fajtor dhe dëshmoi kundër zotit Menendez në gjykatë, vitin e kaluar.
Zoti Menendez dha dorëheqjen nga Senati pas shpalljes fajtor vitin e kaluar.
Ai humbi shumë nga pushteti i tij që në vjeshtën e vitit 2023, ndërsa u bënë publike akuzat kundër tij dhe u detyrua të jepte dorëheqjen nga pozita e rëndësishme në Senat e kreut të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë./VOA