Muzeu i Luvrit në Paris, Macron: Tarifë më e lartë hyrje për vizitorët jashtë BE-së
Një tarifë më e lartë hyrjeje për vizitorët jashtë BE-së, një dhomë e dedikuar për Mona Lizën dhe një hyrje e re madhështore.
Këto janë disa nga planet e paraqitura nga presidenti francez Emmanuel Macron për të rinovuar Muzeun e Luvrit në Paris. Duke qëndruar pranë kryeveprës së Leonardo da Vinçit, Mona Lizës, Macron prezantoi planin e tij shumëvjeçar për monumentin parizian të quajtur “Rilindja e Re”.
Njoftimi i Macron vjen pasi presidenti i Luvrit paralajmëroi javën e kaluar se muzeu ka rrjedhje uji, ndryshime të temperaturës dhe infrastrukturë jo të mirë që rrezikojnë veprat e tij të çmuara të artit.
Riparimi do të kushtojë rreth 700 deri në 800 milionë euro gjatë dhjetë viteve, nga të cilat vetëm një “pjesë shumë e vogël” do të financohet nga taksapaguesit, pohoi rrethi i Presidentit. Një nga propozimet kryesore përfshinte një tarifë më të lartë hyrjeje për vizitorët nga jashtë BE-së duke filluar nga janari 2026.
Muzeu Metropolitan i Artit aktualisht tarifon vizitorët jashtë shtetit 30 dollarë për të parë koleksionin. Ky çmim i rritur i biletës do të shkojë për riparime të vlerësuara midis 300 dhe 400 milionë euro gjatë viteve.
Udhëheqësi francez tha gjithashtu se Mona Lisa do të zhvendoset në një dhomë të dedikuar dhe do t’i nënshtrohet një bilete të veçantë.
Sipas mediave të huaja shteti do të vazhdojë të ndihmojë muzeun duke dhënë 10 milionë euro financim këtë vit për studimet paraprake të ndërtimit të drejtuara nga arkitektët./euronews