Gjimshiti e “kërcënon” Barcelonën: Do ta vëmë në vështirësi

Sonte do të luhen të gjitha ndeshjet e fundit të fazës së grupit të Champions League, në të njëjtën orë, 21:00.
Atalanta do të jetë mysafire e Barcelonës. Katalanasit janë tashmë të kualifikuar për në 1/8 finale, ndërsa zikaltrit e Bergamos e kanë të sigurt pjesëmarrjen në “play off”.
Megjithatë, motivimi do të jetë ndryshe për të dyja skuadrat.
Për këtë sfidë ka folur mbrojtësi i Atalantës, Berat Gjimshiti, në një intervistë për kanalet zyrtare të klubit, përcjell Syri:
“Barcelona është një ekip që të gjithë e njohin. Çdo ekip ka pikat e veta të forta, por ne do të japim maksimumin për t’i vënë katalanasit në vështirësi”.
A ndjeni më pak presion, duke qenë se tashmë e keni të sigurt pjesëmarrjen në “play off”?
Nëse fitojmë, shkojmë direkt në 1/8 finale. Kjo është një arsye më shumë për të bërë paraqitje të mirë kundër një ekipi të madh si Barcelona.
A keni ndonjë peng në rrugëtimin e deritanishëm?
Mendoj për penalltinë e humbur kundër Arsenalit dhe për shumë raste që patëm ndaj Celtic. Ndoshta mund të ishim në një pozitë më të mirë në renditje, por gjithsesi kemi bërë një rrugëtim të shkëlqyer.
Je shpallur lojtari i vitit në Shqipëri, si e përjetove këtë nderim?
Jam shumë krenar dhe i lumtur. Ky çmim më jep një motivim shtesë, si për Atalantën, ashtu edhe për kombëtaren.