Pas ardhjes së Trumpit në pushtet, Kurti ndërron mendje për Marrëveshjen e Washingtonit: Promovonte stabilitet

Pas ardhjes së Trumpit në pushtet, Kurti ndërron mendje për Marrëveshjen e Washingtonit: Promovonte stabilitet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së fundmi në një intervistë për mediumin spanjoll “El Mundo”, ka folur për pritjet e tij nga Administrata e re amerikane, e Donald Trump.

Në veçanti ai duke mos iu referuar me emër i ka dhënë vlerësim Marrëveshjes së Washngtonit të vitit 2020, e nënshkruar kjo mes kryeministrit të atëhershëm Avdullah Hoti dhe presidentit amerikan, Donald Trump, për të cilën ai dhe partia e tij flisnin me tone të ashpra.

“Kosova ka një marrëdhënie të fuqishme bilaterale me Shtetet e Bashkuara, bazuar në përkushtimin e saj të vazhdueshëm për sovranitetin tonë dhe integrimin tonë në BE e NATO. Gjatë mandatit të Trump, marrëveshjet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kishin prioritet për ta promovuar stabilitetin, ndërsa administrate Biden fuqizoi institucionet demokratike në Ballkan. Edhe pse këto dallime reflektojnë ndryshime në qasje, nuk besoj që ShBA-të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës; ne punojmë ngushtë me Uashingtonin”, tha kryeministri Kurti.

Për këtë çështje në një intervistë për gazetën online Reporteri.net ka folur edhe nënshkruesi i saj, ish-kryeministri Avdullah Hoti.

Hoti ka thënë se Qeveria e ardhshme duhet t’i kthehet asaj marrëveshje.

“…unë mbes me shpresë se në qeverinë e ardhshme do t’i kthehemi plotësisht asaj marrëveshjeje sepse në vazhdimësi ajo marrëveshje është respektuar nga pala amerikane, në deklarimet që ka pasur edhe administrate e mëhershme tani më. Ajo marrëveshje është në interesin amerikan për paqe, stabilitet, dhe qëndrueshmëri politike e ekonomike në këtë pjesë të Evropës”, ka thënë Hoti.

Hoti ka thënë se gjatë administratës Trump pret intensifikim të bashkëpunimit dhe një një politikë shumë më të angazhuar drejt konsolidimit të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“…ka pritje edhe tek ne për një dinamikë më të madhe dhe intensifikim më të madh të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe sigurisht mbështetjen diplomatike që ne presim ta kemi shumë më dinamike dhe një politikë shumë më të angazhuar drejt konsolidimit të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka deklaruar Hoti.

Shpërndaje në: