Skandalet energjetike: Kosova në terr, rryma u shit jashtë vendit
Në kohën kur gjeneratorët po vlonin nëpër Kosovë, në dhjetor të vitit të kaluar, Korporata Elektroenergjetike e Kosovës, po bënte shitje shumë të madhe të rrymës.
Vetëm në këtë muaj të fundit të 2024-së, sipas statistikave të Doganës së Kosovës, u eksportua rrymë për 135 milionë euro, derisa në 11 muajt tjerë ishte nxjerrë jashtë vendit energji elektrike vetëm 15.5 milionë euro, raporton Klan Kosova.
E gjithë kjo krizë e shkaktuar nga drejtuesit e korporatës, që janë njerëz të afërt me qeverinë, ishte interpretuar pazakonshëm nga zyrtarët përgjegjës.
Por, më shumë se sa shitja kaq e madhe e rrymës, është për shqetësim fakti se shifra e Doganës është krejt ndryshe nga ato që i jep KEK-u.
Sipas burimeve të portalit Infokus, Korporata në këtë vit ka eksportuar energji elektrike në vlerë prej vetëm 45 milionë e 747 mijë e 305 euro.
Pra, një shpërputhje vjetore prej 104.7 milionë euro për vitin 2024, por që nuk dihet se çfarë rryme shiti Kosova.
E gjithë kjo, derisa Kosova gjatë vitit 2024 importoi hiç më pak se 142 milionë euro energji elektrike.
Pikërisht për këto importe po akuzohet Nagip Krasniqi, njeriu që për një kohë menaxhoi me KEK-un.
Ky përballet me dy aktakuza, njëra për importin në vlerë 36 milionë euro, dhe tjetra se ka mundësuar tregtimin e energjisë një kompanie sllovene në Kosovë, e cila nuk kishte licencë, duke dëmtuar kështu KEK-un në vlerë rreth 3 milionë e 230 mijë euro.
Për këso pazare dyshohet edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili kritikohet se si ndërmjetësues i GEN-it të Serbisë, vazhdon biznesin e ndërmjetësimit në tregun energjetik, duke përfituar 600 mijë euro.
Kjo, derisa në lidhje me këto skandale, e sidomos atë të Krasniqit, tashmë po intervistohen edhe njerëzit më të afërt të kryeministrit Albin Kurti, si puna e koordinatores së lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali.
Kësaj të fundit iu publikua një numër i madh i mesazheve të shkëmbyera me ish-kryeshesfin e KEK-ut, lidhur me menaxhimin e korporatës, ani se nuk bart asnjë post publik.
Për më tepër, në ditët e para të fushatës për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit, vetë Kurti u kujdes që personalisht, dhe në shoqëri të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, t’ua dorëzojnë kontratat 220 punëtorëve të rinj në termocentralin “Kosova B”.