Plani operativ për ditën e zgjedhjeve: Pula e njofton Misionin Vëzhgues të BE-së për përgatitjet

Plani operativ për ditën e zgjedhjeve: Pula e njofton Misionin Vëzhgues të BE-së për përgatitjet

Përfaqësues të Misionit Vëzhgues për Zgjedhje nga Bashkimi Evropian, kryesuar nga analistja ligjore e këtij misioni, Eirini Skouzou, vizituan sot Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, ku u pritën në takim nga Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Laura Pula.

Sipas njoftimit, thuhet se në takim u diskutua për rrjedhën e procesit zgjedhor për zgjedhjet nacionale në vendin tonë, që do të mbahen më 9 shkurt 2025 e me theks të veçantë u diskutua për planin operativ të Prokurorit të Shtetit në ditën e zgjedhjeve.

Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, Pula informoi të pranishmit për angazhimin e Prokurorit të Shtetit lidhur me mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës për zgjedhjet nacionale që do të mbahen më 9 shkurt 2025.

‘Po ashtu gjatë këtij takimi u diskutua për koordinimin në mes të prokurorive dhe Koordinatores Nacionale lidhur me të gjitha aktivitetet e Prokurorit të Shtetit që do të ndërmerren në rast se do të ketë cenim të procesit zgjedhor, si dhe duke përfshirë edhe bashkëpunimin ndërinstitucional në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit për procesin zgjedhor, në mes të institucioneve që merren me administrimin e zgjedhjeve dhe shqyrtimin e rasteve zgjedhore.

Ndërkaq, përfaqësuesit e Misionit Vëzhgues për Zgjedhje nga Bashkimi Evropian, informuan për angazhimin e vëzhguesve ndërkombëtarë në kuadër të këtij Misioni, për rolin e tyre dhe shpërndarjen e tyre në gjithë territorin e Republikës së Kosovës’.

Shpërndaje në: