PZAP përsëri gjobë VV’së, vendosi postera vend pa vend

PZAP përsëri gjobë VV’së, vendosi postera vend pa vend

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka shqiptuar edhe dy gjoba tjera ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, në vlerë totale prej 6 mijë euro. Të dy gjobat i janë shqiptuar pas ankesave që ka dorëzuar Lidhja Demokratike e Kosovës.

Gjoba e parë në vlerë prej 4 mijë e 500 euro, VV i është shqiptuar shkaku i një baneri të kandidatit për deputet Halil Thaçi, që është vendosur në ndërtesën kolektive në Obiliq, që është pronë komunale, e pa lejen e Komunës.

“Paneli pas shikimit të shkresave të lëndës dhe përgjigjes në ankesë të paraqitur nga subjekti politik LVV, vlerësoj se pretendimet e Subjektit Politik LDK, janë të qëndrueshme dhe si të tilla i aprovoj për faktin se veprimet e përshkruara në ankesë paraqesin shkelje nga ana e Subjektit Politik  LVV gjegjësisht e kandidatit për deputet nga ky subjekt politik ka vendosur banerë/ posterëve në ndërtesë kolektive-publike”, theksohet në vendim.

Gjoba tjetër në vlerë prej 1 mijë e 500 euro, Lëvizjes Vetëvendosje i është shqiptuar për shpërndarjen e disa njoftimeve për një tubim në Prishtinë.  Saktësisht, vendosjen e posterëve në shtyllë dhe trafo elektrike ku u bënte thirrje qytetarëve për pjesëmarrje në tubimin në shkollën “Emin Duraku” në Prishtinë.

Ankesa është bërë nga LDK’ja, që ka bashkangjitur edhe katër fotografi që dëshmojnë vendosjen e posterëve – njoftimeve në kundërshtim me rregullativën zgjedhore.

Shpërndaje në: