Streha e Fanës dhe Rënia e Donikës
Shkruan: Baton Haxhiu
Lumir Abdixhiku dhe kryesia e re e LDK-së, pas viteve të rrëshqitjes në harresë dhe humbjes së fuqisë imagjinare që pretendonin se e kishin, kanë vendosur ta kërkojnë shpëtimin aty ku, në mendjet e tyre, ai ka qenë gjithmonë i sigurt: te figura e Ibrahim Rugovës.
Për herë të parë pas kaq vitesh, LDK-ja rikthehet te zonja Fana Rugova, një figurë që e tejkalon partinë dhe çdo kryesi të përkohshme. Në një akt që ngjan më shumë si një lutje e një pelegrini të humbur se sa si strategji politike, Lumiri dhe LDK përkulën kokën dhe dëgjuan teksa Fana, me zërin e saj të qetë dhe fjalët e matura, tha atë që ata shpresonin të dëgjonin: “Figura e Ibrahim Rugovës është dhe mbetet e LDK-së. Aty, ai ka strehën e përjetshme si figurë kombëtare.”
Por përse tani? Përse, pas shumë vitesh ku LDK-ja e kishte humbur rrugën në tentativën për t’u përballur me një Vetëvendosje që i grabiti gjithçka – nga elektorati deri te simbolikat kombëtare – pse i duhej tani të kërkonte shpëtimin tek kjo strehë e përjetshme? Përgjigja është e thjeshtë: LDK-ja nuk ka më figurë tjetër. Një partí që dikur e ndërlidhte veten me gjithë trashëgiminë e Rugovës, tani e sheh veten si një grup politik që lufton për rikthim kundër një lëvizjeje populiste që, për ironinë e fatit, në këto katër vite ka përdorur Rugovën më shumë sesa LDK-ja vetë.
Në këtë krizë për rikthim, fjalët e zonjës Fana janë të dyfishta: një kujtim për atë që ishte LDK-ja dhe një akt final i përjashtimit për ata që e kanë tradhtuar atë. Sepse të gjithë e dinë, ndonëse Fana nuk e thotë hapur: figura e Rugovës nuk ka vend për Donika Gërvallën, një emër që dikur kishte hijen e historisë mbi vete, por që tani është kthyer në një vegël të heshtur të Albin Kurtit. Donika, ajo që u bashkua me VV-në duke pretenduar se po mbronte të njëjtat ideale, është ndoshta ironia më e madhe e gjithë kësaj historie. Në përpjekjen për të ndërtuar një të ardhme për veten, ajo vrau çdo lidhje me të kaluarën – dhe me këtë, edhe çdo mundësi për t’u parë ndonjëherë si trashëgimtare e denjë e emrit që mban. Ajo dy ditë më heret e shpalli LDK-në të vdekur.
Nëse Albin Kurti ia grabiti LDK-së elektoratin, atëherë Vjosa Osmani ia grabiti shpirtin. Vjosa, që u ngrit mbi strukturat e vjetra të LDK-së duke pretenduar se ishte zëri i Rugovës, por që më pas e hodhi poshtë atë parti si një kostum të vjetër që nuk i duhej më. Në këtë proces, ajo jo vetëm që e ndau LDK-në, por edhe e vrau politikisht për disa vite rresht, teksa bashkëudhëtarja e saj Donika Gërvallën, ia rrëmbeu Vjosës çdo shans për të qenë ndonjëherë liderja që mund të pretendonte të ishte. Vjosa u largua nga tradhëtia politike e fillimit, por Donika e vazhdoi gërryerjen e LDK-së pa mëshirë, duke e lënë Vjosën si një hije të vetvetes, një instrument të dobët në orkestrën e Albin Kurtit, ku çdo tingull i saj është i mbuluar nga piskama e dirigjentit.
Por ky kthim te Fana nuk është vetëm një kthim te e kaluara; është edhe një përpjekje për ta kthyer Lumir Abdixhikun në një lider. Në mungesë të një vizioni të qartë ose të një baze të fortë elektorale, që e kishte shkërmoqur Vjosa dhe Donika, ai përpiqet të mbështetet te miti i Rugovës për të gjetur legjitimitet. Kjo është një përpjekje e vështirë për ta lidhur veten me një trashëgimi që ka qenë e ndarë dhe e përvetësuar nga të tjerët. Por a mund ta shpëtojë një mit një lider që ende nuk e ka treguar veten?
Në këtë mes, Donika mbetet ajo që ka humbur më shumë. Sepse gjesti i Fanës, sado simbolik, është një shpallje publike që ajo dhe çdo i ngjashëm me të nuk kanë vend në atë strehë të përjetshme. Në këtë botë ku mitet përdoren si armë politike dhe tradhtia kalon si pragmatizëm, Donika është një simbol i asaj që ndodh kur dikush përpiqet të marrë më shumë sesa mund të mbajë. Dhe në këtë përpjekje, ajo nuk e vrau vetëm Rugovën si figurë të paprekshme për VV-në, ajo vrau edhe veten, duke u kthyer në një simbol bosh që bën zhurmë, por nuk tingëllon.
Në fund të ditës, LDK-ja shpreson se kthimi te Fana dhe Rugova do t’i japë jetë të re. Por e vërteta e hidhur është se strehët e përjetshme nuk janë për ata që kanë shkelur mbi to për vite me radhë. Dhe në këtë përpjekje për shpëtim, ajo që mbetet është një piskamë në errësirë – e Albinit, e Donikës, ndërsa Rugova dhe e shoqja e tij qendrojnë të heshtur, duke parë gjithçka që ka mbetur prej tyre.
Lumir Abdixhiku ndodhet në një udhëkryq të rrallë për një lider të ri në politikë. Në përpjekjen për të ndërtuar një udhëheqje të re për LDK-në, ai bart mbi supe jo vetëm barrën e një trashëgimie të përçarë, por edhe peshën e tradhtive të së shkuarës – të atyre që mohuan besnikërinë ndaj Rugovës për përfitime të çastit dhe atyre që, si ai vetë, kanë lëvizur mes dilemës dhe pragmatizmit politik. Në qeverinë e parë të Albin Kurtit, ai ishte një pjesë e mozaikut që dikur e përkrahte Vjosën, përpara se ajo të linte gjithçka pas dhe të bashkohej me Vetëvendosjen, duke vulosur një tradhti që ende jehon.
Por tani, Lumiri duket se ka marrë një rrugë të re, një rrugë që kërkon më shumë sesa kujtesën për tradhtitë e së kaluarës. Si kryetar i një partie, ai duhet të ndërtojë jo vetëm mbi rrënojat e elektoratit të grabitur, por edhe mbi dyshimin e atyre që dikur e panë atë si një figurë pranë Vjosës dhe larg thelbit të LDK-së. Për të qenë lideri i munguar prej kohësh, Abdixhiku duhet të kapërcejë dy sfida të mëdha: të bashkojë partinë përreth një vizioni të qartë dhe të rikthejë besimin e publikut te LDK-ja si një forcë politike e qëndrueshme, jo thjesht si një nostalgji për Rugovën.
Rruga është e gjatë, dhe puna që duhet bërë është e madhe. Abdixhiku duhet të tregojë se është më shumë sesa një administrator i kujdesshëm apo një retorik i zoti. Ai duhet të jetë lideri që nuk flet për tradhtitë e së shkuarës, por i shndërron ato në mësime për një të ardhme më të mirë. Ai duhet të jetë lideri që jo vetëm e përkujton Rugovën si një simbol, por që e mishëron frymën e këtij shekulli në praktikë. Dhe më e rëndësishmja, ai duhet të tregojë se nuk ka frikë të vendosë – sepse Kosova ka nevojë për një lider që vendos, jo vetëm një që udhëheq.
Nëse Lumiri arrin të ndërtojë mbi këtë bazë dhe të kapërcejë hijet e së kaluarës, ai ka një shans të kthejë LDK-në jo vetëm si një parti, por si një forcë që ndikon vërtet të ardhmen e Kosovës. Por nëse dështon, atëherë strehët e përjetshme të figurave si Rugova do të mbeten thjesht kujtime të një kohe kur politika kishte më shumë kuptim dhe më pak cinizëm. Për Lumirin, sfida nuk është vetëm të udhëheqë një parti – është të rikthejë një shpresë që Kosova e humbi prej kohësh.