Delegacioni i KiE-së: Bojkoti i Lëvizjes Vetëvendosje ndaj mediave është i dëmshëm
Një delegacion i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka qëndruar në Kosovë gjatë këtij muaji, në disa takime parazgjedhote me liderët e vendit, liderët partive politike, zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vëzhgues të Misionit të BE-së e të tjerë.
Në një njoftim të publikuar të mërkurën, ky delegacion bën thirrje ndaj të gjitha palëve që të veprojnë me përgjegjësi.
Delegacioni i Këshillit të Evropës u udhëhoq nga anëtarja austriake, Petra Bayr, derisa morën pjesë edhe Andrea Eder-Gitschthaler dhe Mehmet Akalin. Në fillim të komunikatës, thuhet:
“Në përfundim të vizitës parazgjedhore në Prishtinë, një delegacion nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës përgëzoi përgatitjen e mirë për zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e Kosovës pavarësisht polarizimit në rritje dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të interesuara që të veprojnë me përgjegjësi dhe gjithëpërfshirje në të mirë të popullatës”.
Megjithatë, në komunikatë theksohet ngurrimi i disa partive, Vetëvendosjes në këtë rast pëe t’u përfshirë në debate televizive.
Aty përmendet edhe bojkoti ndaj tri debateve politike në televizionet më të njohura në vend, veprim ky që nga anëtarët e KiE-së u konsiderua si i dëmshëm për informimin publik, sidomos të moshuarit.
“Megjithatë, janë ngritur shqetësime në lidhje me mungesën e rregulloreve për mediat online, transparencën e pronësisë së medias, procedurën e emërimit të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Medias, si dhe ndikimin e mundshëm të dezinformatave dhe përdorimit të inteligjencës artificiale gjeneruese gjatë fushatës”.
“Ngurrimi i disa partive politike për t’u përfshirë në debate kundërthënëse në televizion dhe bojkoti i shpallur ndaj tri stacioneve televizive të njohura nga partia në pushtet, u konsideruan të dëmshme për informimin publik, veçanërisht për të moshuarit. Delegacioni kujton se media luan një rol jetik për të siguruar që votuesit të kenë akses në informacione të ndryshme dhe të sakta, të cilat janë thelbësore për marrjen e vendimeve të informuara”.
Zyrtarët e KiE-së kanë përmendur shqetësimet për rritjen e retorikës populiste dhe nacionaliste, si dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes.
“…Megjithatë, disa bashkëbisedues ngritën shqetësime për rritjen e retorikës populiste dhe nacionaliste, si dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe gjuhës përçarëse. Ata paralajmëruan se trende të tilla mund të dëmtojnë demokracinë dhe kohezionin ndëretnik dhe gjithashtu mund të ndikojnë negativisht në pjesëmarrjen e grave në zgjedhje dhe politikë, pavarësisht nga kuota gjinore në listat e partive”.
Asambleja Parlamentare do të dërgojë një delegacion prej 20 anëtarësh për të vëzhguar zgjedhjet e nëntë shkurtit 2025.