Abdixhiku: Vushtrri, çka ke ba kështu
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka shprehur entuziazmin dhe emocionet e tij pas tubimit madhështor që ky subjekt politik mbajti sonte në palestrën sportive “Jeton Tërstena – Tota” në Vushtrri.
Në fjalimin e tij para mijëra qytetarëve, Abdixhiku theksoi se LDK-ja është e përkushtuar për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për Kosovën, duke mbajtur marrëdhënie të shkëlqyera dhe të pathyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai u zotua se vizitën e tij të parë si kryeministër do ta realizojë në ShBA, ku do të kërkojë që Kampi Bondsteel të bëhet i përhershëm.
“Kosova shtet i pavarur e sovran, i anëtarësuar në NATO e Bashkim Evropian, e me miqësi të përhershme me ShBA-të – ishte misioni ynë dje, është misioni ynë sot dhe do të jetë misioni ynë nesër,” tha Abdixhiku, duke cituar frymëzimin nga presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova: “Shtëpia nuk mbahet pa miq.”
Në përvjetorin e Ibrahim Rugovës, Abdixhiku theksoi vizionin e qartë të LDK-së për ta udhëhequr Kosovën drejt progresit dhe ndryshimit të nevojshëm.
Ai i falënderoi organizatorët, përfshirë Xhafer Tahirin, Rrezarta Krasniqin dhe Bashkim Gashin, për angazhimin dhe përkushtimin e tyre, duke përfunduar me fjalët: “Koha jonë po vjen, ndryshimi është afër!”