Policia largon një kamerë ilegale në Leposaviq, monitoronte një pjesë publike
Policia e Kosovës ka larguar një kamerë e cila ilegalisht ishte vendosur në Leposaviq.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani, konfirmoi për Telegrafin rastin duke thënë se kamera monitoronte pjesën publike respektivisht magjistralen Mitrovicë-Leposaviq.
“Dje në Leposaviq, Policia ka larguar një kamerë e cila e monitoronte pjesën publike respektivisht magjistralen Mitrovicë-Leposaviq. Pas konsultimit me Prokuror sot është hap rast incizim i paautorizuar Nuk ka persona të arrestuar, ndërsa kjo është kamera e tretë e maskuar e larguar që monitoronte vendet publike”, theksoi ai.
Tutje, ai shtoi se dy kamerat tjera ilegale kanë qenë në Mitrovicë të veriut, e që po ashtu janë larguar në vitin e kaluar.
Për largimin e kamerës ilegale, ka reaguar edhe njohësi i sigurisë, Avni Islami.
Islami ka shkruar në Facebook se kamera ilegale i ka shërbyer strukturave të sigurisë së Serbisë.
“Një kamerë ilegale, që i shërbente strukturave të sigurisë së Serbisë për të monitoruar udhëkryqet rrugore dhe që ishte instaluar nga strukturat paralele është zbuluar dhe çaktivizuar nga Policia e Kosovës në Leposaviq. Kamera ishte vendosur në njësorin e rrymë elektrike: kjo tregon gjendjen e mjerueshme në të cilën gjendet shteti serb sot – gjithmonë me qëllimin e qartë destabilizimin e Kosovës dhe rajonit”, ka pohuar ai.
Islami ka theksuar se “Profesionalizmi dhe saktësia e institucioneve kosovare të sigurisë është e admirueshme”.