Shteti ku njerëzit po shkojnë me dëshirë në burg
Japonia, e njohur për jetëgjatësinë dhe shkallën e ulët të lindshmërisë, po përballet me një fenomen të papritur social.
Gjithnjë e më shumë të moshuar po kryejnë krime të vogla me qëllim që të përfundojnë në burg.
Ky fenomen nxjerr në pah probleme të thella si izolimi social, varfëria dhe pamjaftueshmëria e sistemit të mirëqenies sociale.
Në burgjet japoneze, plakja e popullsisë reflektohet edhe brenda mureve të institucioneve penale.
Në burgun e grave të Tochigi-t, më i madhi në vend, gratë e moshuara marrin ndihmë për ushqim dhe ilaçe. Për disa prej tyre, burgu ofron një stabilitet që jeta jashtë nuk mund ta garantojë.
Një prej këtyre rasteve është Akiyo, 81 vjeçe, e cila po vuan dënimin për vjedhje ushqimi. Për të, burgu nuk është ndëshkim, por strehë. “Kjo jetë është më e qëndrueshme për mua”, thotë ajo. Në burg ajo merr tri vakte në ditë, kujdes mjekësor dhe shoqëri, gjëra që jashtë nuk mund t’i kishte, shkruan A2 CNN-i.
Shumë gra të tjera të moshuara e ndajnë historinë e saj. Sipas të dhënave, mbi 80% e grave të moshuara të burgosura në Japoni kanë kryer vjedhje të vogla. Shumica e tyre janë shtyrë nga varfëria, pasi 20% e personave mbi 65 vjeç jetojnë në kushte të vështira ekonomike.
Megjithëse Qeveria japoneze ka zbatuar programe për të mbështetur të moshuarit dhe për të lehtësuar riintegrimin e tyre, këto masa shpesh janë të pamjaftueshme. Për shumë persona si Akiyo, burgu mbetet një alternativë më e sigurt sesa vetmia dhe pasiguria jashtë.