Si e arsyetoi Themelorja vendimin me të cilin ministrja Gërvalla u lirua nga akuza për mosraportim të pasurisë?

Si e arsyetoi Themelorja vendimin me të cilin ministrja Gërvalla u lirua nga akuza për mosraportim të pasurisë?

Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zëvendëskryeministre, më 19 nëntor 2024 është liruar nga akuza për mosraportim të pasurisë.

Ministrja Gërvalla ngarkohej se në cilësinë e zyrtares së lartë publike, në formularin për deklarim të pasurisë më 22 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të përpiluar më 3 dhjetor 2024, thuhet se nuk ka mëdyshje që me provat e administruara në shqyrtim gjyqësor u vërtetua se vepra me të cilën akuzohej Gërvalla nuk përbën vepër penale dhe se faktet e paraqitura si në aktakuzë mund të jenë objekt shqyrtimi vetëm në procedurë kundërvajtëse.

Aty theksohet se e akuzuara Gërvalla, gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk e kishte pranuar fajësinë, ndërsa në mbrojtjen e saj në shqyrtimin gjyqësor ka deklaruar se qëndron pranë deklaratës së dhënë në Prokurori.

Në vendim, thuhet se nuk ishte kontestues fakti që e akuzuara kishte për obligim të deklaronte pasurinë, por që kontestues ishte fakti se nëse e akuzuara pasi që nuk kishte bërë deklarimin e saktë të pasurisë,  kishte përmbushur elementet e veprës penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Gjykata thekson se këtë fakt kontestues e zgjodhi duke u bazuar në provat materiale të administruara në seancën e shqyrtimit gjyqësor.

Në vendim thuhet se Qëndresa Berisha, përfaqësuese e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, në cilësinë e dëshmitares, në seancën e shqyrtimit gjyqësor ka deklaruar se në momentin e dorëzimit të formularit për deklarimin të pasurisë me marrjen e detyrës shihet një deklaratë e nënshkruar nga Gërvalla, në të cilën theksohet se është e njoftuar lidhur me obligimit qe dalin nga Ligji për Deklarimin e Pasurisë, por që nuk shihet që ka diçka ndonjë komunikim deri në momentin e sqarimit që është kërkuar përmes kërkesës lidhur me deklarimin e pjesës së pasurisë për bashkëshortin e saj.

Sipas aktgjykimit, në raport me biznesin Alb Lingua UG, në sqarimin e saj, e akuzuara ka ofruar edhe disa prova mbështetëse, në mesin e të cilave kanë qenë edhe disa transaksione që sipas palës deklaruese theksohet se janë për shpenzime fillestare të fillimit të biznesit por jo ndonjë qarkullim si fitim i biznesit. Kështu, këtë biznes s’e kishte deklaruar, sepse nuk kishte pasur qarkullim.

Ndërsa të hyrat e bashkëshortit të palës deklaruese janë të deklaruara në formularin e bërë në vitin 2022 por jo ne atë 2021. Sa i përket pronës se Dubovikut agjencia me dy kërkesa i është drejtuar palës deklaruese fillimisht kërkesa e parë ka pas të bëj me pasaktësinë e cila në sqarimin e saj pala deklaruese ka theksuar së në bazë të disa komunikimeve me zyrtare nga komuna e Deçanit ka konfirmuar të dhënat të cilat i ka paraqitur, pas kësaj agjencia i është drejtuar sërish me kërkese palës deklarues duke i kërkuar informacioni lidhur me ato komunikime si dhe atë nëse ka ndonjë certifikatë pronësie lidhur me këtë pasaktësi”, thuhet në aktgjykim.

Më tej, thuhet se e njëjta në sqarimin saj përveç asaj që ka theksuar se ato prona janë të evidentuara mirëpo sipërfaqen e saktë e ka keqkuptuar apo e ka ngatërruar me zyrtarin nga Komuna e Deçanit, duke i bashkëngjitur edhe transkriptimin e këtyre komunikimeve, këtij sqarimi ia ka bashkëngjitur certifikatën pronësisë e cila është identike me atë që APK-ja e ka siguruar në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, në të cilën shihen pasaktësitë me ato të deklaruara në formular.

Aktgjykimi thotë se Gjykata ia fali besimin e plotë deklarimit të kësaj dëshmitareje, pasi që e njëjta është në përputhje dhe harmoni të plotë me shkresat e lëndës, por mbi të gjitha është në harmoni edhe me deklaratën e të akuzuarës.

Në deklarimin fillestar të pasurisë pas marrjes së detyrës, Gërvalla nuk kishte deklaruar të ardhurat e bashkëshortit, me arsyetimin se ishte i punësuar në Parlamentin e Gjermanisë dhe se sekreti i të ardhurave personale dhe aty tatimore në shtetin gjerman mbrohet me ligj, por që janë të ardhura që vijnë ekskluzivisht nga paga e tij vjetore dhe se Prokuroria nuk ka ofruar prova me të cilat do të vërtetohej e kundërta.

Gjithnjë sipas aktgjykimit, nga certifikata e pronësisë e lëshuar nga AKK në Prishtinë, Gjykata gjeti se e akuzuara ishte pronare me 1/1 e pjesës alikuote të pronësisë për paluajtshmërinë, në sipërfaqe prej 3964 m2.

Të cilën paluajtshmëri me rastin e deklarimit të pasurisë e kishte deklaruar në sipërfaqe “rreth 2000 m2”, e për të cilën e akuzuara në seancën e shqyrtimit gjyqësor ka deklaruar se është pronë të cilën e ka fituar në bazë të trashëgimisë, kurse arsyeja se përse ishe deklaruar rreth 2000 m2, ka qenë për faktin se ashtu ishte informuar nga persona të tjerë lidhur me sipërfaqen e së njëjtës dhe se nuk e kishte ditur sipërfaqen e saktë”, thuhet në vendim.

E këtij deklarimi, sipas vendimit, Gjykata ia fali besimin e plotë e që si i tillë tregon se e akuzuara kishte paraqitur këtë paluajtshmëri e cila evidentohet në emër të saj dhe se e kishte të përfituar në mënyrë të ligjshme, andaj nuk kishte asnjë arsye për ta fshehur.

Sipas Prokurorisë, Gërvalla me dashje veproi në kundërshtim me Ligjin për Deklarimin e Pasurisë kur nuk paraqiti saktë të dhënat e kërkuara me ligj, por Gjykata vlerësoi se me asnjë provë të vetme nuk mund të vërtetohen pretendimet e Prokurorisë se në veprimet e të akuzuarës janë përmubshur elementet e veprës që i vihej në barrë, duke shtuar se kjo vepër kryhet vetëm me dashje.

Gjykata thekson se në nenin 17 të Ligjit nr.04/L-050 për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publikë dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, është përcaktuar se “Kushdo që shkel detyrimet e përcaktuara me këtë ligj, që nuk janë vepra penale, zyrtari i lartë bënë kundërvajtje dhe dënohet”.

Ndërsa nga përshkrimi ligjor rezulton se për mos deklarim apo deklarim të pasaktë të pasurisë, të përfituar në mënyrë të ligjshme, nga neglizhenca e deklaruesit, paraqet veprim të kundërligjshëm, por nuk tërheq përgjegjësi penale“, thuhet në aktgjykim.

Sipas Themelores, qëllimi i këtij neni është inkriminimi i zyrtarit publik vetëm nëse pasurinë nuk e ka deklaruar fare apo e ka deklaruar rrejshëm dhe atë pasuri e ka përfituar në mënyrë të paligjshme dhe të njëjtën nuk mund që ta arsyetojë se si ka ardhur deri tek ajo pasuri, por në asnjë rrethanë pasurinë të cilën e ka realizuar në mënyrë të ligjshme, e të cilën e ka deklaruar, duke shtuar se në rastin konkret deklarimi nga ana e të akuzuarës është bërë, por që nuk është bërë deklarimi i saktë.

Vetë fakti se neni 17 i Ligjit 04/L-050, ka paraparë dispozita ndëshkuese për kundërvajtje, duke i përcaktuar saktë edhe gjobat, shpien në përfundim të qartë se “mos deklarimi apo deklarimi jo i saktë i pasurisë e cila është përfituar në mënyrë të ligjshme” është vetëm kundërvajtje“, vlerëson Gjykata.

Sipas Gjykatës, nuk do të parashihej kundërvajtja dhe gjobat për mosdeklarim të pasurisë, sikur qëllimi i ligjdhënësit të ishte që sikurse pasurinë e fituar në mënyrë të ligjshme, si atë të fituar në mënyrë të paligjshme, si atë të padeklaruar apo të deklaruar në mënyrë jo të saktë, ta sanksiononte si vepër penale.

Në fund, thuhet se Prokuroria me rastin e dorëzimit të aktakuzës nuk ka kërkuar konfiskimin e pasurisë së Gërvallës, pasi që nuk ka indikacione që e njëjta të ketë përfituar atë kundërligjshëm.

Mbi bazën e këtyre fakteve, Themelorja vendosi që Gërvalla të lirohet nga akuza.

Betimi për Drejtësi” ka dërguar pyetje në Prokurorinë Themelore në Prishtinë për të pyetur nëse është ushtruar ankesë kundër këtij vendimi, mirëpo Prokuroria është përgjigjur se vendimi në fjalë është duke u shqyrtuar nga ana e prokurorit të çështjes dhe se brenda afateve ligjore do të ndërmerren veprimet të cilat prokuori i konsideron të nevojshme.

Lidhur me akuzën për mosraportim të saktë të pasurisë, në seancën fillestare më 7 mars 2024, Gërvalla ishte deklaruar e pafajshme.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të përpiluar më 31 janar 2023 nga prokurori Astrit Gashi, Gërvalla ngarkohej se në cilësinë e zyrtares së lartë publike me obligim ligjor të deklarimit të pasurisë, në formularin për deklarim të pasurisë më 22 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj. Aktakuza thotë se e njëjta në këtë formular nuk ka deklaruar asnjë të hyrë-të ardhur të bashkëshortit të saj Stefan Schwarz edhe përkundër se të njëjtin e ka deklaruar si bashkëshort.

Tutje, në akuzë thuhet se Gërvalla nuk ka deklaruar në tërësi parcelën kadastrale-toka bujqësore në pronësi të saj në sipërfaqe prej 3964 m2 në ZK Dubovik-Komuna e Deçanit, duke e deklaruar vetëm sipërfaqe prej 2000 m2. Po ashtu, Gërvalla sipas akuzës thuhet se nuk ka deklaruar as biznesin “Alb Lingua UG” e regjistruar në Bon të Gjermanisë në emër të saj.

Me këto veprime, Gërvalla akuzohej se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 maj 2023 kishte konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se ka ngritur aktakuzë ndaj Gërvallës. Pasi u bë i ditur lajmi për ngritjen e aktakuzës, ministrja Gërvalla përmes një postimi në Facebook, tha se është përpjekje për të hedhur baltë mbi përfaqësuesit e institucioneve.

Ndryshe, më 2 tetor 2021, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), nuk ka deklaruar të gjitha funksionet në institucione vendore e ndërkombëtare. Sipas këtij hulumtimi, rezultoi se Gërvalla nuk ka deklaruar se posedon biznes në Gjermani, nuk ka treguar se është drejtoreshë e një fondacioni në Kosovë dhe as nuk ka deklaruar pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj.

Shpërndaje në: