Kush do të marrë pjesë në inaugurimin e Trumpit?
Si një politikan jokonvencional, presidenti në ardhje i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shpesh ka anashkaluar normat diplomatike. Prandaj, nuk është befasi që inaugurimi i tij si president po thyen traditën.
Trumpi është presidenti i parë i zgjedhur në mbi një shekull që fton udhëheqësit e huaj në ceremoninë e tij të betimit, sipas mediave amerikane.
Historikisht, në këtë ngjarje kanë marrë pjesë diplomatët e huaj dhe ambasadorët.
“Është e pazakonshme që të ketë një lloj të tillë të pjesëmarrësve [të udhëheqësve] të huaj, sepse inaugurimi shihet si një ngjarje e brendshme politike”, tha Cayce Myers, profesor në Virginia Tech, i cili përqendrohet në takimin e marrëdhënieve me publikun me politikën.
Në mesin e udhëheqësve të huaj të ftuar është kryeministrja konservatore italiane, Giorgia Meloni, dhe presidenti populist i krahut të djathtë argjentinas, Javier Miel. I ftuar është edhe zëvendës presidenti kinez, Han Zheng.
Në inaugurimin e Trumpit do të ketë edhe politikanë e biznesmenë nga Kosova.
Trump “i përdor këto ngjarje të mëdha, sikurse inaugurimi, si një mundësi për të krijuar lidhje dhe për të gjetur gjuhë të përbashkët”, tha Myers. “Është mënyrë shumë unike për të trajtuar diplomacinë dhe është një mënyrë që i ka rrënjët në biznes”.
Të ftuar të tjerë VIP në inaugurim përfshijnë emrat më të mëdhenj në industrinë e teknologjisë të SHBA-së, përfshirë pronarin e X dhe Tesla-s, Elon Musk, themeluesin e Meta-s, Mark Zuckerberg, dhe atë të kompanisë Amazon, Jeff Bezos.
Udhëheqësit e Apple, OpenAI, Uber dhe TikTok raportohet se kanë pranuar ftesa po ashtu.
Disa nga këto kompani kanë bërë donacione në fondin për inaugurimin e Trumpit, i cili ka mbledhur një shifër rekord prej më shumë se 170 milionë dollarësh.
Që nga viti 1981 inaugurimi është mbajtur në frontin perëndimor të Kapitolit, ku është ndërtuar një platformë për këtë ngjarje, e cila mund t’i akomodojë mbi 1.600 persona.
Në mesin e pjesëmarrësve zakonisht janë presidenti në largim dhe nënpresidenti në larg dhe familjet e tyre; presidenti i zgjedhur dhe nënpresidenti i zgjedhur së bashku me familjet e tyre; ish-presidentët me bashkëshortet e tyre; anëtarë të kabinetit dhe të nominuar; 535 anëtarët e Kongresit; nëntë anëtarët e Gjykatës Supreme; ambasadorët e huaj; pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë; dhe të ftuar të tjerë, përfshirë këshilltarë dhe miq të ngushtë të presidentit në ardhje, por edhe donatorë të mëdhenj dhe të famshëm.
Të famshmit që raportohet se do të marrin pjesë në inaugurimin e Trumpit përfshijnë ish-kampionin e boksit, Mike Tyson, sikurse edhe atletë të tjerë dhe muzikantë.
Disa anëtarë demokratë të Kongresit, përfshirë Nancy Pelosin, një nga figurat më të fuqishme të partisë, është raportuar se nuk do të marrin pjesë në inaugurim.
Persona të tjerë të shquar që nuk do të marrin pjesë në këtë ngjarje përfshijnë edhe ish-zonjën e parë, Michele Obama.
Për shkak të motit të ftohtë, inaugurimi do të mbahet brenda ndërtesës së Kapitolit, për herë të parë që nga viti 1985, raporton REL.