VV’së i ofrohet ndihmë nga Lëvizja Besa e Maqedonisë për tubimin në Ferizaj
Zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit duket se e kanë frikësuar, partinë në pushtet në krye me Albin Kurtin, LVV, shkruan Periskopi.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila shpesh ka akuzuar partitë e tjera për mobilizim të mbështetësve nga qytete të ndryshme për të mbushur sallat, kësaj here po ndjek të njëjtën praktikë.
Një mesazh i siguruar nga Periskopi, dëshmon se VV po kërkon ndihmë nga Lëvizja Besa e Maqedonisë, për tubimin e saj që do të mbahet në Ferizaj.
Përmes një njoftimi në grupin e tyre të Viber-it, Lëvizja Besa u kërkoi anëtarëve të organizoheshin dhe të shkonin “sa më shumë vetura” drejt palestrës në Ferizaj.
“Nesër, ora 19:00, Lëvizja Vetëvendosje e ka tubimin e saj në Ferizaj në palestrën sportive “Bill Clinton”. Prezent nga Lëvizja Besa do të jenë Adnan Azizi dhe Besar Durmishi. Kush ka dëshirë është mirë që të organizohet dhe të shkojmë sa më shumë vetura”, thuhej në njoftimin e Lëvizjes Besa në Viber.
Ndryshe PZAP’ja ka dënuar dy herë javën që lamë pas VV’në, për gjuhën e urrejtjes së përdorur nga anëtarët e kësaj partie gjatë fushatës zgjedhore, përfshirë këtu edhe kryeministrin Kurti. /PERISKOPI