Kush është diplomati danez që pritet të zëvendësojë Lajçakun?

Kush është diplomati danez që pritet të zëvendësojë Lajçakun?

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, pritet të emëroj diplomatin danez Peter Sorensen si përfaqësues të posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Sorensen, ish-përfaqësues special i BE-së për Bosnje dhe Hercegovinën, ka gjasa që shumë shpejtë të marrë pozitën e mediatorit. Në pesë vjetët e fundit, në këtë pozitë ka qenë diplomati sllovak, Miroslav Lajçak, i cili ka luajtur një rol kyç në përpjekjet evropiane për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.

Sipas informatave të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, emri i Peter Sorensen është dërguar për miratim në vendet anëtare të BE-së. Kjo kandidaturë pritet të shqyrtohet në një takim të Komitetit për Politikë dhe Siguri të BE-së (PSC), ku janë të përfaqësuara të gjitha vendet anëtare të bllokut.

Konfirmimi i Sorensen nga shtetet anëtare është vetëm një formalitet, pasi përzgjedhja tashmë është bërë nga Kaja Kallas, transmeton albanianpost.

Sorensen ka shërbyer si emisar special i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi. Përveç kësaj, diplomati danez ka qenë i angazhuar edhe në misionin e OSBE-së në Kroaci. Gjithashtu, ai ka qenë shef i delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut. Ai aktualisht është këshilltar në Shërbimin e Jashtëm të BE-së për diplomaci digjitale.

Ndryshe, pavarësisht se Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje në fillim të vitit të kaluar, fillimisht në Bruksel, pastaj në Ohër, dhe përkundër insistimit të diplomatëve perëndimorë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, ajo nuk është zbatuar, derisa tensionet mes dy fqinjëve vazhdojnë të rriten.

Shpërndaje në: