Serbët pas mbylljes së institucioneve: “Nuk bëhet fjalë vetëm për pagat”
Të zhgënjyer në gjithçka. Edhe nga Prishtina, edhe nga Beogradi.
Kështu ndihen serbët në jug të lumit Ibër, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, pasi autoritetet e Kosovës mbyllën këtë javë një numër institucionesh serbe, përfshirë: organe të përkohshme komunale, zyra postare, qendra të punës sociale etj.
Këto institucione u ofronin serbëve në Kosovë shërbime të ndryshme administrative. Përmes tyre merrnin, po ashtu, një lloj ndihme nga shteti i Serbisë.
Se çfarë do të ndodhë tash, askush nuk e di. E vetmja gjë që u tha, ishte se punonjësit e këtyre institucioneve, nuk do të mbeten pa paga nga Serbia.
A do të thotë mbyllja e institucioneve serbe edhe ndërprerje e punës së tyre? Jo.
E gjithë kjo është “e trishtueshme dhe për keqardhje”, thotë Nada nga Graçanica, afër Prishtinës.
Ajo shprehet e zhgënjyer që Beogradi zyrtar, vazhdimisht, thotë se punëtorët nuk do të mbeten pa paga, ndërsa ofrimi i shërbimeve për qytetarët mbetet në plan të dytë.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për pagat. Ata do t’i marrin pagat e tyre, por nuk është kjo çështja. Për mua është shumë e vështirë”, thotë Nada për Radion Evropa e Lirë dhe shton se as nga Beogradi “nuk pret absolutisht asgjë”.
Ngjashëm shprehet edhe Ratko Trajkoviq, po ashtu nga Graçanica.
“Ata thanë se nuk do t’i lënë njerëzit pa paga. Kjo nuk vlen gjë. Ky është një mjedis serb, ne duhet t’i kemi tonat [institucionet serbe]”, thotë ai.
Zyrtarë të lartë nga Serbia dhe Lista Serbe – partia më e madhe serbe në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit – thanë se do të vazhdojnë konsultimet e ndërsjella për hapat e mëtejshëm, dhe theksuan se Qeveria e Kosovës mund t’i mbyllë objektet, por jo institucionet që veprojnë brenda sistemit serb.
“Beogradi nuk dëshiron të bëjë asgjë. Duket sikur gjithçka është e dakorduar. Është e turpshme kjo që po ndodh”, shton Trajkoviq.
Sipas tij, zgjidhje e vetme tani do të ishte formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe, përmes tij, qytetarëve t’u ofrohen shërbimet e institucioneve të mbyllura.
Prishtina zyrtare nisi mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë në fillim të vitit 2024, duke thënë se ato nuk kishin leje për të vepruar dhe se funksionimi i tyre ishte i paligjshëm.
Kështu, disa nga institucionet e mbyllura, kryesisht organet e përkohshme komunale, u zhvendosën në zyra alternative pranë pikave kufitare: Bërnjak, Jarinjë dhe Merdare.
Ndërkaq, punëtorët që punonin në Postën e Serbisë në veri, pas mbylljes së degëve të saj, u zhvendosën në Graçanicë për të punuar.
“Është sikur të na kishin hedhur të gjallë në një pus”
Pensionisti Momçillo Stojanoviq nga Bërnica, afër Prishtinës, shkonte shpesh në Graçanicë për punë të ndryshme administrative rreth ndihmave që merr.
Të enjten e kësaj jave, ai ishte në Graçanicë për të marrë më shumë informacion rreth mundësisë së trajtimit në një nga banjat në Serbi, por hasi në dyer të mbyllura.
“Është sikur të na kishin hedhur të gjallë në një pus. Ku të shkojmë tash, ku?”, pyet Stojanoviq.
Ai thotë se nuk e kupton përse autoritetet e Kosovës këmbëngulin aq shumë në mbylljen e institucioneve serbe. Mbyllja e tyre, sipas tij, vetëm se e bën më të vështirë jetën për njerëzit e zakonshëm.
Një tjetër banor nga Graçanica, Milloradi, nuk e fajëson vetëm Qeverinë e Kosovës për të gjitha këto.
Ai thotë se “me të gjitha këto, ka të bëjë edhe shteti i Serbisë”, sepse nuk ka gjetur zgjidhje me kohë.
Cilat institucione janë mbyllur deri më tani?
Autoritetet e Kosovës vazhduan edhe në vitin 2025 mbylljen e institucioneve që funksiononin brenda sistemit serb, e që Prishtina zyrtare i konsideron të paligjshme.
Deri më tani janë mbyllur rreth njëzet organe të përkohshme komunale, Administrata Tatimore në Mitrovicën e Veriut, Drejtoria për Hapësira Banesore dhe Afariste dhe Drejtoria për Tokë Ndërtimore në veri të Mitrovicës, Posta e Serbisë, kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq, Banka Kursimorja e Postës, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor në Mitrovicë të Veriut, Qarku Administrativ Kosovë-Mitrovicë dhe disa qendra për punë sociale.
Të gjitha këto institucione funksiononin brenda sistemit serb dhe punësonin mijëra punëtorë.
Në funksion mbeten vetëm institucionet arsimore dhe shëndetësore, të cilat në mjediset me shumicë serbe në Kosovë punojnë gjithashtu në kuadër të sistemit serb.
Cila është zgjidhja?
Deri më tash, zyrtarët serbë dhe përfaqësuesit e Listës Serbe nuk kanë dalë me propozime konkrete se si do të vazhdojnë me ofrimin e shërbimeve nga organet e mbyllura serbe.
Radio Evropa e Lirë pyeti Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë për planet e mëtejshme, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Aleksandar Popov, nga Qendra joqeveritare për Rajonalizëm në Novi Sad, thotë se zgjidhje do të ishte zbatimi i pjesës së Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e cila ka të bëjë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Në atë rast, Serbia do të ishte në gjendje të kujdesej për shëndetësinë, arsimin dhe do të kishte mundësi t’i ndihmonte drejtpërdrejt institucionet që janë vendimtare për mbijetesën e serbëve në Kosovë”, thotë Popov.
Kosova refuzon ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, nga frika se mund të ndikojë keq në funksionimin e brendshëm të shtetit.
“Pa integrim të serbëve në Kosovë s’mund të ketë normalizim me Serbinë”
Popov thotë se funksionimi i institucioneve serbe në Kosovë, ua ka lehtësuar deri diku jetën pjesëtarëve të komunitetit serb.
“Ato ua kanë bërë më të lehtë përmbushjen e disa nevojave të përditshme, si posta, sigurimet… dhe nuk kanë pasur nevojë të shkojnë në Serbi për t’i zgjidhur ato çështje”, shton ai.
Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka sjellë Beogradin, në fakt, përpara një akti të kryer.
“Kjo shkon në favor të tij para zgjedhjeve parlamentare [në Kosovë]. Ai është duke përdorur vakumin e shumëfishtë që është krijuar në bashkësinë ndërkombëtare, me ndryshimin e ndërmjetësve dhe administratave, për t’i dëbuar nga Kosova institucionet që i quan paralele”, thotë Popov.
Ai shton se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës rreth dy vjet më parë, e ka bërë të pamundur gjetjen e një zgjidhjeje për institucionet e Serbisë në Kosovë.
“Beogradi, përmes Listës Serbe, ‘duke i mbrojtur serbët’, i ka kontribuar, në fakt, gjithë kësaj”, thotë Popov.
Lista Serbe bëri të ditur më 17 janar se u është drejtuar ambasadorëve të QUINT-i (SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Italisë dhe Francës), Bashkimit Evropian, Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë dhe Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK, me një letër, ku “është bërë i qartë rreziku nga këto veprime”, që “kanë për qëllim dëbimin e gjithçkaje serbe nga Kosova”.
Lista Serbe tha se ka kërkuar reagime të menjëhershme kundër veprimeve të Kurtit, “e jo komunikata anemike”, të cilat, siç tha, Prishtina nuk i merr seriozisht.
Çfarë mesazhesh dërgoi Beogradi?
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha më 16 janar se ka biseduar në Rashkë me përfaqësues politikë dhe institucionalë të serbëve nga Kosova, për “hapat e ardhshëm, ndihmën dhe mbështetjen e shtetit të Serbisë”.
Megjithatë, ai nuk saktësoi se për cilat lëvizje konkrete bëhet fjalë, por përsëriti se askush nuk do të mbetet pa të ardhura nga buxheti i Serbisë.
“Shteti i Serbisë në Kosovë dhe Metohi nuk është mure e zyra, por popull, dhe secili nga njerëzit tanë është përfaqësues i shtetit të Serbisë në Kosovë dhe Metohi”, shkroi Petkoviq në Instagram.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cilësoi veprimet e autoriteteve të Kosovës si “terror i dukshëm”.
Lista Serbe: Punonjësit e institucioneve serbe do të vazhdojnë të paguhen
Duke folur për Televizionin serb B92 më 15 janar, ai tha se Beogradi do të përpiqet t’i zgjidhë problemet e serbëve nga Kosova.
Sipas ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriq, veprimi i Prishtinës është “përpjekje për të minuar të drejtat kolektive dhe identitetin e serbëve në Kosovë”.
Gjuriq shkroi në Instagram se “kjo strategji vetëm se thellon ndarjet dhe kërcënon stabilitetin në rajon”.
Çka thanë udhëheqësit e institucioneve të mbyllura?
Përveçse në Graçanicë, autoritetet e përkohshme komunale dhe shumica e institucioneve të tjera serbe për Kosovën u mbyllën më 15 janar edhe në nëntë komuna të tjera në jug të Ibrit.
Kryetari i autoritetit të përkohshëm komunal të Lipjanit, Millan Joksimoviq, tha në një konferencë të Listës Serbe se institucioni që ai drejton, ka ofruar shërbime për rreth dhjetë mijë qytetarë dhe se ata nuk do të privohen prej tyre.
Nemanja Petkoviq, drejtor i Qendrës për Punë Sociale, e cila funksiononte në Graçanicë, tha se punëtorët nuk kanë më objekte nga të cilat mund të vazhdojnë të ofrojnë shërbime për përfituesit.
“Në territorin që ne mbulojmë, rreth 450 familje marrin ndihmë sociale. Shumë përfitues kanë shfrytëzuar edhe ndihmën e njëhershme financiare dhe janë rreth 150 përfitues të ndihmës për përkujdesje”, tha Petkoviq për Radion Evropa e Lirë.
Drejtori i Postës së Serbisë në Kosovë, Ivan Millojeviq, tha se pret që në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të gjendet një zgjidhje për funksionimin e mëtutjeshëm të institucionit që ai drejton, dhe shtoi se bisedimet tashmë janë duke u zhvilluar në Bruksel.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tha se këto bisedime po udhëhiqen nga “ekipet e ekspertëve nga Beogradi dhe Prishtina”, por se ai personalisht nuk ka marrë ende pjesë në to.
“Këto [bisedimet] janë më shumë në nivel teknik. Besoj se [zgjidhja] do të vijë pas 20 shkurtit [pas zgjedhjeve në Kosovë]. Të shohim nëse do të kemi edhe katër vjet terror apo do të kemi një situatë pak më ndryshe. Shpresoj për më mirë”, tha Millojeviq.
Megjithatë, Klisman Kadiu, shef i kabinetit të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi – i cili udhëheq negociatat me Serbinë në nivel teknik – mohoi në mënyrë kategorike se në Bruksel janë duke u zhvilluar diskutime me Beogradin për funksionimin e mëtejshëm të Postës së Serbisë në Kosovë.
Bashkimi Evropian nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse Posta e Serbisë apo institucionet e tjera të mbyllura serbe në Kosovë, po negociohen në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd.
Në një reagim më 15 janar, BE-ja tha se çështja dhe statusi i institucioneve që veprojnë në sistemin serb, duhet të zgjidhen në kuadër të dialogut që zhvillohet në Bruksel.
Aksioni për mbylljen e institucioneve serbe u kritikua edhe nga SHBA-ja, e cila e cilësoi si veprim të pakoordinuar të Qeverisë së Kosovës.
Sipas SHBA-së, mbyllja prek negativisht të gjithë qytetarët, përfshirë serbët etnikë dhe komunitetet tjera.