Osmani pret në takim ekipin e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur të enjten në takim ekipin e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian.
Presidenca përmes një komunikate për media, ka bërë me dije se Osmani takoi ekipin e kryesuar nga Nathalie Loiseau, ku u fol për zgjedhjet parlamentare të nëntë shkurtit.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani dhe Kryesuesja Loiseau diskutuan rëndësinë e një procesi zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe transparent, duke nënvizuar se Kosova tashmë ka dëshmuar përkushtimin e saj në organizimin e zgjedhjeve demokratike.
Presidentja Osmani nëpërmes një letre të dërguar më 3 shtator 2024 Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka kërkuar dërgimin e një Misioni të Vëzhgimit të Zgjedhjeve.
“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për angazhimin e vazhdueshëm të BE-së në mbështetje të demokracisë në Kosovë dhe rikujtoi rëndësinë e misioneve vëzhguese të BE-së që nga viti 2013. Ajo theksoi se këto janë zgjedhjet e para të rregullta sipas Ligjit të ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, duke i dhënë një dimension të ri procesit zgjedhor në vend.
Në takim me znj. Loiseau, Presidentja Osmani ka ritheksuar kërkesën e bërë edhe në letrën dërguar z.Borrel, në mënyrë që ky mision të përfshijë gjithashtu një fokus të veçantë në përfaqësimin e grave në të gjitha fazat e procesit zgjedhor. Ajo theksoi rëndësinë e përfaqësimit të grave në listat zgjedhore, buxhetimin gjinor, praninë e tyre në media, si dhe trajtimin e çështjeve të dhunës me bazë gjinore gjatë fushatës, përfshirë dhunën në internet. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani, gjithashtu ritheksoi kërkesën që ky Mision, të fokusohet edhe në respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, posaçërisht sa i përket qasjes së tyre në vendvotime”.