BE nuk i pret mirë bastisjet e Policisë: Mbyllja e strukturave paralele nuk i ndihmon Kosovës në heqjen e masave

BE nuk i pret mirë bastisjet e Policisë: Mbyllja e strukturave paralele nuk i ndihmon Kosovës në heqjen e masave

Bashkimi Evropian ka kritikuar Kosovën për shkak të mbylljes së strukturave paralele në veri, pasi siç ka thënë, këto veprime bien ndesh me detyrimet e Kosovës ndaj BE-së.

BE-ja ka përmendur edhe masat kundër Kosovës, duke thënë se përderisa konkluzionet janë se BE-ja do të heqë gradualisht masat paralel me hapat e Kosovës për depërshkallëzim të tensioneve në veri, “këto veprime nuk janë të favorshme për këtë qëllim”.

“Veprimet e fundit të Kosovës kundër dhe mbyllja e strukturave të mbështetura nga Serbia, të kryera në mes të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, bien ndesh me detyrimet e saj ndaj BE-së në kuadër të procesit të normalizimit. EULEX-i po monitoron kryerjen e këtyre veprimeve të fundit në përputhje me mandatin e tij”, thuhet në reagimin e BE-së.

BE-ja ka thënë tutje se statusi i strukturave të mbështetura nga Serbia parashikohet të zgjidhet përmes dialogut.

“Kosova duhet të demonstrojë dhe të qëndrojë konsistente me obligimet e saj në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe riangazhimit të fundit të saj ndaj tij”, ka thënë tutje.

Policia e Kosovës të mërkurën ka mbyllur komunat paralele serbe në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë-Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skenderaj si dhe posta e zyra tatimore ilegale.

 

Prokuroria s’i autorizoi bastisjet, Policia: Vepruam bazuar në kërkesën e MAPL-së

Shpërndaje në: