Sveçla dhe Hoxha “krye n’veti”: Raportohet se pa urdhër të Prokurorisë urdhëruan bastisjen e strukturave paralele në 10 komuna

Sveçla dhe Hoxha “krye n’veti”: Raportohet se pa urdhër të Prokurorisë urdhëruan bastisjen e strukturave paralele në 10 komuna

Policia ka vepruar krye në vete, pa urdhëresë të Prokurorisë, për bastisjet në dhjetë komuna mëngjesin e sotëm. Prokuroria e ka refuzuar kërkesën e policisë për këtë aksion. Kjo nuk është hera e parë që pushteti e përdor policinë për poena politik.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e ka përdorur edhe një herë tjetër Policinë e Kosovës si ‘karrem’ të mirë për vota, më pak se një muaj para zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Mëngjesin e të mërkurës, Policia ka nisur një aksion për mbylljen e strukturave paralele serbe në dhjetë komuna të vendit, me urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme.

Aksioni i Policisë së Kosovës vë në rrezik sigurinë juridike. Bastisjet në dhjetë komuna kanë ndodhur pa urdhër të Prokurorisë së Shtetit, ka mësuar Paparaci nga burime brenda autoriteteve ligjzbatuese.

Paparaci ka marrë vesh se Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Prokuroria Themelore në Gjilan kanë refuzuar nxjerrjen e urdhrit për bastisje, me arsyetimin se kërkesa e Policisë së Kosovës “nuk përmbante  dyshim të bazuar për kryerje të veprës penale”.

Pa urdhër të Prokurorisë, duke shkelur kodin e procedurës penale, ky urdhër i ministrit të Brendshëm është zbatuar mëngjesin e sotëm nga Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Të mërkurën në mëngjes, Sveçla tha se aksioni është ndërmarrë nga MPB-ja, Policia e Kosovës, si dhe dy ministri të tjera. Nuk e përmendi Prokurorinë e Shtetit.

“Me aksion të përbashkët mes MPB e PK si dhe MINT e MAPL, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook. “Siç edhe jemi zotuar, nuk lejojmë asnjë paralelizëm e aq më tepër kriminal të Serbisë që të cenojë Kushtetutën e ligjshmërinë në vendin tonë”.

Burimet i thanë Paparacit se Prokuroria e Shtetit refuzoi dhënien e urdhëresave për bastisje me arsyetimin se policia nuk ka prezantoi prova për dyshim të bazuar në kryerje të veprës penale për këtë hetim.

Krejt kjo, pasi siç kanë bërë të ditura burime të Gazetës Paparaci, cak i bastisjeve ishin edhe disa objekte të cilat “veçse janë mbyllur kohë më parë dhe ishin inekzistente si struktura paralele”. Kjo lë të nënkuptohet se qëllim i këtij aksioni të panevojshëm ishte kryekëput tentativa për të fituar më shumë vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, nga partia në pushtet.

Ky akt shënon një përplasje mes Prokurorisë dhe policisë së dirigjuar nga Xhelal Sveçla për ta instrumentalizuar drejtësinë në funksion të garës elektorale.

Paparaci ka dërguar pyetje në adresë të drejtorit të policisë Gazmend Hoxha, Policisë së Kosovës, Prokurorisë Themelore në Prishtinë e asaj në Gjilan, mirëpo nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Ky rast nuk është hera e parë që Qeveria e Kosovës përdor apo përpiqet të instrumentalizojë Policinë e Kosovës për poena politik.

Ekzekutivi shpesh është lavdëruar dhe ka tentuar t’i marrë meritat për vete, kur janë zhvilluar aksione të suksesshme të Policisë së Kosovës, sidomos në pjesën veriore të vendit.

Ndryshe, javëve të fundit janë mbyllur disa struktura paralele në veri. Së fundmi, i është vënë dryni kompanisë së sigurimeve “Dunav” në Mitrovicë të Veriut.

Shpërndaje në: