Për çka do të votojnë serbët?

Për çka do të votojnë serbët?

Paqe e siguri, punësim i barabartë dhe luftë institucionale për realizimin e të drejtave.

Këto janë disa nga çështjet që do t’i bindin qytetarët serbë të Kosovës, me të cilët bisedoi Radio Evropa e lirë, se kujt t’ia japin votën në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Në garë për dhjetë ulëset e Kuvendit janë gjashtë subjekte politike që përfaqësojnë komunitetin serb: Lista Serbe, Lëvizja Popullore Serbe, Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Partia e Serbëve të Kosovës, Demokracia Serbe dhe Nisma Qytetare Drejtësia Popullore.

Megjithatë, mbështetja nga Beogradi, edhe kësaj radhe, shkon ekskluzivisht për Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila u formua me përkrahjen e autoriteteve të Serbisë, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq.

Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, tha në një intervistë për RTS-në më 13 janar se është e rëndësishme që Lista Serbe të marrë pjesë në zgjedhje “për të treguar se nuk po tërhiqemi”.

Miodrag Milliqeviq, nga organizata joqeveritare Aktiv nga Mitrovica e Veriut, vlerëson se serbët nga Kosova presin që përfaqësuesit e ardhshëm në Kuvend, të jenë më aktivë, të luftojnë për ndryshime, të drejta më të mëdha dhe dialog me autoritetet qendrore.

Por, Olliver Vujoviq, nga Forumi joqeveritar për Zhvillim dhe Bashkëpunim Multietnik nga Graçanica, beson se pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë do të fillojnë të mendojnë më shumë për “mbijetesën lokale” dhe më pak për politikën e nivelit të lartë.

“Nuk mund të bëhet më keq se kaq”
Milloshi nga Mitrovica e Veriut thotë se në periudhën e kaluar, ka mbizotëruar punësimi partiak apo ndarja e pabarabartë e banesave për persona më të cenueshëm socialë.

Ai pret që gjatë fushatës të dëgjojë se do të ketë ndryshime në këtë drejtim.

“Uniteti i vërtetë duhet të ndodhë, e jo vetëm të flitet për të. Ky unitet nënkupton që ne jemi të gjithë njësoj”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Mlladeni do që përfaqësuesit politikë serbë të luftojnë më shumë për të drejtat e tyre në Kuvendin e Kosovës.

“Ajo që po ndodh tani me serbët në Kosovë, është nën çdo nivel të jetesës normale. Shumë njerëz kanë humbur punën dhe pyetja është se deri kur do t’i paguajë Serbia pagat e tyre?! Shpresoj që të ndryshojë diçka. Nuk mund të bëhet më keq se kaq”, thotë Mlladeni, gjithashtu nga Mitrovica e Veriut.

Që nga viti 2013, Lista Serbe ka fituar të dhjetë ulëset e rezervuara në Kuvendin e Kosovës, i cili ka gjithsej 120.

Votimi për të është organizuar kryesisht përmes institucioneve ku serbët punojnë, e të cilat financohen nga Serbia.

Mirëpo, që nga nëntori i vitit 2022, deputetët e kësaj liste nuk kanë marrë pjesë aktive në punimet e Kuvendit, për shkak të “politikës së bojkotit”. Atëkohë, përfaqësuesit serbë kanë vendosur të largohen nga institucionet e Kosovës në veri, duke kundërshtuar kështu vendimin e Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave me targa të Kosovës.

Për të mos i humbur mandatet dhe pagat, ata kanë shkuar në Kuvend çdo gjashtë muaj për t’u nënshkruar.

Qeveria e Kosovës, ndërkohë, ka punuar në mënyrë intensive për konsolidimin e pushtetit në komunat me shumicë serbe në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan Zubin Potok dhe Leposaviq.

Që nga fillimi i vitit 2024, ajo ka mbyllur edhe institucione që kanë vepruar në kuadër të sistemit të Serbisë në atë zonë.

Beogradi zyrtar e kundërshton mbylljen e këtyre institucioneve, ndaj disa prej tyre i ka zhvendosur në qytetet kufitare të Serbisë dhe ka premtuar se askush nuk do të mbetet pa rrogë.

Nemanja nga Mitrovica e Veriut thotë se ka ardhur koha që serbët “ta kuptojnë seriozitetin e situatës” dhe të fillojnë një luftë institucionale për të drejtat e tyre.

“Dhe, le të shpresojmë se kjo do të sjellë disa ndryshime, që do ta përmirësojnë jetën në veri të Kosovës”, thotë ai.

Çka është e rëndësishme për serbët në jug të lumit Ibër?

Titomiri nga Graçanica, afër Prishtinës, nuk beson në premtimet elektorale. Po ashtu, nuk beson se politikanët duan vërtet të luftojnë për të drejtat e njerëzve të thjeshtë.

“Unë besoj vetëm tek Aleksandar Vuçiqi si president [i Serbisë]”, thotë ai.

Megjithatë, ai shton se është e rëndësishme që problemet e serbëve, të dëgjohen në institucionet e Kosovës dhe të kërkohet zgjidhje për to.

“Asnjëherë nuk i kam parë [përfaqësuesit aktualë] në foltore [në Kuvendin e Kosovës], nuk i kam parë që dalin e flasin për problemet…”, thotë Titomiri.

Zorani, po ashtu nga Graçanica, thotë se duhet të krijohen kushte më të mira të jetesës për serbët në Kosovë, si dhe mundësi më të mëdha punësimi. Por, dilema është nëse opsionet politike që i përfaqësojnë serbët, mund t’i ofrojnë këto.

“Të gjithë bëjnë premtime kur janë zgjedhjet, e më pas çdo gjë kthehet në normalitet”, thotë ky bashkëbisedues për Radion Evropa e Lirë.

Për Sllavishën nga Rahoveci, punësimi i barabartë është gjithashtu vendimtar për mbijetesën e serbëve në Kosovë.

Ai thotë se do të votonte për opsionin që e bind se një gjë e tillë është e mundur.

“Situata te ne është e shkëlqyer. Nuk është si në veri. Por, duhet të punësohen të rinjtë. Unë i kam dy djem. Duhet të punësohen”, thotë Sllavisha.

Brankoja nga Prizreni, ku kanë mbetur shumë pak serbë, thotë se është i zhgënjyer nga përfaqësuesit politikë të serbëve, sepse askush nuk i viziton dhe nuk përpiqet t’i kuptojë më mirë problemet e tyre reale.

Ai thotë se nuk ka besim në partinë më të madhe – Listën Serbe – por se as nga të tjerët nuk ka dëgjuar ndonjë plan konkret për përmirësimin e kushteve të jetesës.

“Të gjithë janë për interes. Askush nuk na e hap derën”, thotë Brankoja.

Çka ofrojnë përfaqësuesit politikë të serbëve?

Pothuajse të gjitha opsionet politike flasin për “mbijetesën” e serbëve në Kosovë, por nga këndvështrime të ndryshme dhe pa paraqitur propozime konkrete se si të arrihet kjo.

Lista Serbe mbështetet në masë të madhe te Beogradi dhe që nga fillimi i fushatës, më 11 janar, zyrtarët e saj kanë vizituar kryesisht institucionet shëndetësore që funksionojnë nën sistemin serb dhe punësojnë mijëra njerëz.

Kryetari i kësaj partie, Zllatan Ellek, është edhe drejtor i Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut.

Gjatë një vizite në Graçanicë më 13 janar, Ellek foli për investimet dhe punësimin në sektorin e shëndetësisë, duke theksuar se në katër vjetët e fundit janë punësuar 1.500 punëtorë mjekësorë dhe jomjekësorë.

Subjektet tjera politike që kanë hyrë në garë për deputetë në Kuvendin e Kosovës, kryesisht e akuzojnë Listën Serbe se punon ekskluzivisht për të mirën e zyrtarëve të saj dhe se kontribuon në largimin e serbëve nga Kosova.

Kështu, subjekti Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë i Nenad Rashiqit – që është pjesë e Qeverisë aktuale të Albin Kurtit – me sloganin “Jeta ime në duart e mia” thotë se mbështet politika “autentike”, që do t’i mbrojnë interesat e serbëve të Kosovës.

Në ditën e parë të fushatës zgjedhore, Rashiq tha se Lista Serbe ka “keqpërdorur burimet” për vite me radhë. Ai tha se është pro krijimit të një “të ardhmeje të përbashkët”, e jo vetëm për individët.

Mesazhi politik i Lëvizjes Popullore Serbe, të udhëhequr nga Millija Bishevac nga Zubin Potoku në veri dhe Branimir Stojanoviq nga Graçanica në jug, është “Lufta jonë nuk ka ndaluar”.

Nga kjo parti thonë se do të jenë “zëri i popullit” dhe se do të “luftojnë për popullin, dinjitetin dhe të ardhmen e fëmijëve tanë”.

Edhe Demokracia Serbe e Aleksandar Arsenijeviqit premton se do të jetë zëri i popullit dhe “zëri i lirisë”.

Kjo parti thotë se përkeqësimit të pozitës së komunitetit serb i ka kontribuar heshtja në Kuvendin e Kosovës dhe mosveprimi i deputetëve aktualë të Listës Serbe.

Nga kjo parti premtojnë se do të jenë më aktivë dhe se do ta ngrenë zërin kudo që të munden.

Në tubimin në Graçanicë, Partia Serbe e Kosovës ka thënë, gjithashtu, se do të luftojë për të drejtat e qytetarëve dhe se do të çrrënjosë manipulimin dhe korrupsionin.

Nisma Qytetare Drejtësia Popullore, në anën tjetër, thotë se mbron bashkëjetesën, pajtimin në Kosovë, por edhe lirinë e mendimit dhe të fjalës.

Kjo parti mbështet edhe kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, si dhe premton kushte të njëjta punësimi pa diskriminim, kushte më të mira shëndetësore dhe ruajtjen e të gjitha të drejtave të komuniteteve.

Çka do të jetë vendimtare në betejën për vota?

Milliqeviq, nga organizata Aktiv, beson se subjektet politike serbe në Kosovë nuk kanë shumë për t’u ofruar votuesve, edhe pse dëshirojnë “vetëm një jetë të denjë dhe një mjedis të sigurt”.

Megjithatë, ai shton se qytetarët, sigurisht, presin që politikanët serbë të jenë më aktivë në mbrojtjen e të drejtave të tyre. Vetëm atëherë, sipas tij, mund të flitet për përparim ekonomik apo punësim.

Lista Serbe, në masë të madhe, e ka humbur besimin e popullit, thotë Milliqeviq dhe pret që në Kuvendin e ri të Kosovës të shohë përfaqësues edhe të opsioneve të tjera politike.

“Në detin e negativitetit dhe të gjërave të këqija që kanë ndodhur, ky pluralizëm është e vetmja gjë pozitive. Të dëgjohet pak më shumë se një zë, pa pasur dallime të mëdha në perceptimin e interesave më të gjera të komunitetit serb”, thotë Milliqeviq.

Lista Serbe ka fituar mbi 90 për qind të votave në të gjitha zgjedhjet në të cilat ka marrë pjesë që nga formimi i saj në vitin 2013, por misioni vëzhgues i Bashkimit Evropian ka shkruar në raportet e tij për “monopolin dhe frikësimin” nga kandidatët dhe aktivistët e kësaj partie.

Vujoviq, nga Forumi për Zhvillim dhe Bashkëpunim Multietnik, beson se votuesit, me shumë gjasa, do të votojnë për opsionin që mund t’u sigurojë atyre stabilitet ekonomik, të drejta më të mëdha dhe kushte më të mira jetese.

Ai thotë se Lista Serbe ka përparësi, sepse ka mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe se Serbia, përmes institucioneve të saj, punëson një numër të madh të njerëzve në Kosovë.

“Nga frika se mos humbasin diçka, një pjesë e njerëzve ndoshta do të votojnë për atë opsion që lidhet drejtpërdrejt me Beogradin. Megjithatë, ka ende njerëz që nuk janë të lidhur me ato paga [nga buxheti i Serbisë]”, thotë Vujoviq për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se ka më shumë se dy vjet që zëri i Listës Serbe nuk dëgjohet as në Kuvendin e Kosovës, as në institucionet tjera.

Sipas tij, ka qytetarë nga komuniteti serb, të cilët ankohen që nuk kanë qenë më aktivë në mbrojtjen e interesave të tyre.

“Duhet të flitet dhe të bashkëpunohet me të gjithë për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin ekonomik”, thotë Vujoviq.

Zgjedhjet e 9 shkurtit do të jenë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që mbahen në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

Shpërndaje në: