“Jo për shkak të disa negociatave të veçanta…”, deklaratat e O’Brien për serbët në veri dhe thirrja për dialog
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë t’i normalizojnë marrëdhëniet fqinjësore për hir të synimeve të veta për integrime evropiane.
Në një intervistë për tabloidin serb, Kurir, të publikuar të dielën, O’Brien tha se të dyja vendet kanë nevojë ta bëjnë këtë.
“Mendoj Kosova dhe Serbia duhet ta kuptojnë se ka rrugë normale evropiane për këtë çështje. Mendoj se tani, me një Bashkim Evropian më aktive në rajon, të dyja vendet e kuptojnë se ka gjëra që secila prej tyre duhet t’i bëjë, të cilat do ta bëjnë më të lehtë zgjidhjen çështjeve”, tha O’Brien.
Por, shtoi ai, ato duhet ecin përpara dhe t’i bëjnë këto gjëra “për hir të rrugës së tyre evropiane, jo për shkak të disa negociatave të veçanta”.
O’Brien u pyet gjithashtu se a mund të jetojnë serbët e Kosovës nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti, pas një varg hapash që Qeveria i ndërmori gjatë vitit 2024 për t’i mbyllur institucionet paralele serbe në veriun e banuar me shumicë serbe dhe për ta shtrirë autoritetin atje.
“Mendoj se po”, u përgjigj ai, duke shtuar se “praktikisht çdo vend evropian ka pasur nevojë të merret me një çështje të tillë – një komunitet që ndihet i lidhur me një vend fqinj për shkak të lidhjeve kombëtare, fetare apo historike”.
O’Brien bëri thirrje gjithashtu që serbëve në Kosovë, posaçërisht në veri, t’u jepet hapësirë ta thonë fjalën e tyre vet, pa i ndikuar apo detyruar nga të tjerët.
“Ne duam të shohim që zëri i vet serbëve, në veçanti në veri, por edhe në gjithë Kosovë, të dëgjohet, jo që ata të detyrohen të flasin në një mënyrë apo tjetër siç u leverdis njerëzve në cilindo kryeqytet. Ata duhet t’i kenë të drejtat si çdo qytetar tjetër në një vend demokratik”, tha O’Brien.
Ai tha se i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe ekipi i tij, kanë bërë “punë të suksesshme falë të cilës ka zgjidhje për jetën e serbëve në Kosovë me respekt për ta si një komunitet, në mënyrë që ata të mund të jetojnë normalisht, ashtu si, për shembull, gjermanët në Itali ose holandezët në Belgjikë”.