Lajçak: Këtë javë në Bruksel do të mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur
Emisari i BE’së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar se këtë javë do të mbahet takimi i Komisionit të Përbashkët për çështjen e personave të zhdukur në Bruksel.
Ai ka thënë se është takuar me Jim O’Brien dhe Sasha Kasanof me të cilët ka diskutuar për dialogun.
“Misioni im i parë i vitit më çoi në SHBA. Në Uashington D.C., u angazhova në diskutime të hollësishme me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Jim O’Brien dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Sasha Kasanof. Së bashku, ne u thelluam në sfidat dhe mundësitë gjeopolitike me të cilat përballet rajoni, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe nevojën për të avancuar në Dialogun e Normalizimit”, ka shkruar ai.
Lajçak gjithashtu ka njoftuar se e ka takuar edhe Zëvendës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Richard Verma, përpara vizitës së tij në rajon.
Ai ka shtuar se me nënsekretaren e përgjithshme të OKB’së, Rosemary DiCarlo, kanë folur për rrugëtimin evropian të Ballkanit Perëndimor.
“Udhëtimet e mia më çuan më pas në Nju Jork, ku pata diskutime thelbësore me lidershipin në SHBA. Një shkëmbim i detajuar me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së António Guterres na lejoi të shkëmbejmë mbi dinamikat rajonale, ndërsa takimi im me nënsekretaren e përgjithshme të OKB-së Rosemary DiCarlo përforcoi nevojën për përpjekje shumëpalëshe të koordinuara mirë për të mbështetur Ballkanin Perëndimor në rrugën e tij drejt integrimit evropian.”