Abdixhiku për Enver Malokun: Sot kujtojmë njeriun që dha gjithçka për Kosovën

Abdixhiku për Enver Malokun: Sot kujtojmë njeriun që dha gjithçka për Kosovën

Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka kujtuar vrasjen e Enver Malokut.

Ai tha se 26 vjet më parë, në mbrëmjen e 11 janarit të vitit të lirisë, Enver Maloku u qëllua pranë banesës së tij në Breg të Diellit në Prishtinë.

“Atë ditë u ndërpre rrugëtimi i një gazetari vetëmohues, i një ëndrrimtari të lirisë, i një intelektuali të rrallë e të pashoq, i një adhuruesi të shkrimit, rokut, e vet shpirtit kulturor të shoqërisë sonë. Patrioti model i orëve më të rënda e bartësi i dritares informuese në lëvizjen më të madhe nacionale për liri, pavarësi e demokraci, u vra në moshën 45 vjeçare.

Me familjen Maloku – me Doruntinën dhe Drinin dhe me bashkëpunëtorë të Lidhjes, sot u mblodhëm përballë portretit të tij në Murin e Nderit në Selinë Qendrore të LDK-së, aty ku qëndrojnë emrat e atyre që ndërtuan themelet e Kosovës, për ta kujtuar dhe nderuar veprën dhe trashëgiminë e tij të pashlyeshme në lëvizjen kombëtare për liri, pavarësi dhe demokraci”, shkroi ai.

Abdixhiku shtoi se idealet Enver Maloku mbeten të gjalla.

“Sot kujtojmë jo vetëm njeriun që dha gjithçka për Kosovën, por edhe idealet e tij që mbeten të gjalla për të na udhëzuar në ndërtimin e së ardhmes. Enver Maloku nuk ishte vetëm një gazetar dhe veprimtar i shquar i Lidhjes Demokratike dhe i lëvizjes kombëtare për liri; ai ishte një frymëzim për brezat që besojnë në lirinë e shprehjes, në fuqinë e fjalës dhe në detyrën e secilit prej nesh për t’i mbrojtur vlerat e kombit. Lavdi jetës dhe veprës së Enver Malokut!”, tha ai.

 

Shpërndaje në: