Deklarohen të pafajshëm dy të akuzuarit për vrasjen e 26-vjeçarit në Prizren

Deklarohen të pafajshëm dy të akuzuarit për vrasjen e 26-vjeçarit në Prizren

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën në seancën fillestare të akuzuarit Enes Ay dhe Hajrullah Brnçanin, janë deklaruar të pafajshëm lidhur me vrasjen  vrasjen e A.TH.

Deklarimin rreth fajësisë të njëjtit e kanë bërë pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurori, Genc Nixha.

Të pyetur nga ana e kryetares së trupit gjykues Raima Elezi lidhur me pranimin e fajësisë, të akuzuarit Ay dhe Brnçanin deklaruan se nuk pranojnë fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Brnçanin, avokati Nazmi Mustafi, kërkoi nga gjykata që të vendosë lidhur me ligjshmërinë e paraburgimit dhe i propozon gjykatës që në këtë seancë të urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të akuzuarit Brnçanin, me arsyen se dihet pesha e veprës që ai ka kryer.

Ndërsa, prokurori Nixha ka kundërshtuar propozimin e avokatit Mustafi, duke thënë se i akuzuari është i dyshuar dhe i akuzuar për 25 vepra penale, të cilat janë evidentohen në raportin e të kaluarës së tij kriminale.

Edhe avokati i palës së dëmtuar, Esat Gutaj, ka kundërshtuar propozimin e avokatit Mustafi, me arsyen se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se Brnçanin mund të jetë bashkëkryerës, ku viktima është sulmuar në automjetin e tij dhe se viktima është qëlluar në lagjen “Bazhda Hane”.

Kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi ka kundërshtuar propozimin e avokatit Mustafi lidhur me ndërprerjen e masës së paraburgimit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të datës 15 nëntor 2024, Enes Ay akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, kurse Hajrullah Brncanin akuzohet për kryerjen e veprave penale “Mosdhënia e ndihmës” dhe “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se më 6 korrik 2024, në Prizren i akuzuari Enes Ay me anë të mjetit të rrezikshëm i shkakton lëndim trupor personit tjetër dhe për pasojë i shkakton vdekjen viktimës A.TH.

Shpërndaje në: