Kush është shqiptari që ka marrë pozitë zyrtare në Siri?

Kush është shqiptari që ka marrë pozitë zyrtare në Siri?

Sundimtarët e rinj të Sirisë raportohet se u kanë dhënë poste të larta ushtarake disa luftëtarëve të huaj islamikë, përfshirë një shqiptari nga Maqedonia e Veriut. Kjo ka rritur frikën në vendet e origjinës të luftëtarëve për një eksport të mundshëm të revolucionit në tokën e tyre.

Përveç shqiptarit me origjinë nga Maqedonia e Veriut, Reuters dhe AFP, duke u thirrur në burime brenda Sirisë, kanë raportuar se edhe një shtetas i Taxhikistanit dhe tre ujgurë kinezë janë në mesin e të huajve që janë promovuar në poste zyrtare.

Atyre u është dhënë grada e gjeneral-brigadier dhe të paktën një prej tyre ka marrë postin e kolonelit sipas raportimeve që Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur.

Abdul Samrez Jashari, i lindur në Maqedoninë e Veriut – i njohur edhe si Abu Qatada al-Albani – në një profil në Facebook, që besohet se ai qëndron pas tij, ka shkruar se ka marrë gradën e kolonelit.

Jashari, 48 vjeç, është udhëheqës i “Xhemati Albani”, i cili është një grup militant i përbërë kryesisht nga shqiptarët etnikë.

Ky grup ka aleancë me Hayat Tahrir al-Sham (HTS) – grupin islamist të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që rrëzoi nga pushteti presidentin sirian, Bashar al-Assad në dhjetor të vitit 2024.

Abdul Jashari që nga viti 2016 është i sanksionuar nga SHBA-ja. Sipas vendimit të Thesarit, ky këshilltar ushtarak është sanksionuar si njëri nga liderët e Al-Nusrës, degë e Al-Kaidës në Siri, dhe ka ndihmuar në mbledhjen e fondeve për familjet e luftëtarëve të Nusrës.

Kush është Xhemati Alban që udhëhiqet nga Jashari?

Adrian Shtuni, ekspert i politikës së jashtme dhe sigurisë që vepron në Uashington dhe bashkëpunëtor i Qendrës Ndërkombëtare për Kundërterrorizëm, në Hagë, i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë se Xhemati Alban ka qenë aktiv në Siri që prej vitit 2012, ndonëse jo zyrtarisht me këtë emër.

“Por, komponentët e tij, personat që e kanë formuar këtë grup më vonë e kanë përdorur këtë si emër”, tha ai.

Sipas tij, ky grup është i përbërë prej dhjetëra personave, ka strukturë komanduese etnike shqiptare dhe bëhet fjalë për “një grup islamist xhihadist dhe të strukturuar mirë”.

“Personat që janë anëtarë të këtij grupi, vijnë kryesisht nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut, por edhe nga trevat e tjera shqiptare në Ballkan, dhe nga diaspora”, ka thënë Shtuni.

“Udhëheqësi i grupit shqiptar atje, është një 48-vjeçar, nga Shkupi i cili njihet me emrin Abu Qatade al-Albani. Emri i vërtetë i tij është Abdul Jashari dhe ka pasur funksione të larta këshilluese me komandantin e HTS-së”, ka shtuar ai.

Radio Evropa e Lirë ka verifikuar një video të 30 nëntorit 2024, ku u shfaq një ushtar që fliste shqip duke qëndruar në një kala në qytetin e Alepos. Videoja u xhirua në ditën kur HTS-ja mori kontrollin e qytetit veriperëndimor.

I njëjti ushtar mbante një shenjë dalluese të “Albanian Tactical”, i cili besohet të jetë një nëngrup i Xhematit Alban, i fokusuar në trajnime.

“Xhemati Alban është i ndarë në disa grupe të cilat janë të specializuara: njëri për minahedhje, tjetri është grup snajperistësh dhe pastaj kemi edhe këtë grupin trajnues i cili quhet Albanian Tactical”, ka dekluar Shtuni.

Sipas tij, grupi i shqiptarëve dhe udhëheqësia e tij kanë një rëndësi të veçantë në kuadër të HTS-së.

Shpërndaje në: