Blindohet Rinasi, mbërrin nën masa të rrepta sigurie Dritan Rexhepi
Dritan Rexhepi, një nga emrat më të kërkuar të drejtësisë shqiptare, është ekstraduar këtë të mërkurë nga Turqia.
Ai ka mbërritur në aeroportin e Rinasit me avion, ku më pas, nën masa të rrepta sigurie, është transportuar drejt burgut 313. Euronews Albania ka siguruar pamjet kur trafikanti i njohur si “mbreti i kokainës” është shoqëruar nga Drejtoria e Burgjeve, i shoqëruar me makina të shumta policie.
Rexhepi është akuzuar nga Prokuroria e Posaçme për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës më 17 janar 2020. Dritan Rexhepi, dikur student për drejtësi, njihet tani si një nga narkotrafikantët më të fuqishëm të drogës nga Amerika e Jugut në Evropë.
Ai është me 25 vite burgim për vrasjen e dy policëve, Arben Keqi dhe Durim Kasmi, në Fushë-Krujë në vitin 1998.
Po ashtu, Rexhepi ka qenë i njohur për arratisjet spektakolare nga burgjet.
Në vitin 2007, ai iu arratis policisë së Durrësit. Një vit më vonë, ai realizoi një arratisje tjetër nga burgu i Pavias në Itali dhe më pas një arratisje tjetër në Belgjikë. Rexhepi përdori pasaportë të falsifikuar me emrin Lulzim Murataj për të kaluar në Kakavijë, dhe nuk është kthyer më në Shqipëri pas datës 16 nëntor 2013.