Lista Srpska: Kurti hodhi 80 punëtorë në rrugë për fushatë zgjedhore

Lista Srpska: Kurti hodhi 80 punëtorë në rrugë për fushatë zgjedhore

Policia e Kosovës sot mbylli një objekt të strukturave paralele serbe në veri të vendit, i cili shërbente si zyrë tatimore, degë e Ministrisë së Financave të Serbisë.

Në një përgjigje për Gazetën Express, zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, më herët tha se njerëzit që kanë qenë aty janë larguar, por se nuk ka pasë arrestime.

“Rreth orës 09:00 kemi hyrë në këtë ndërtesë, e cila sipas informacioneve tona, ka funksionuar si zyre tatimore (si degë e Ministrisë së Financave të Serbisë). Në këtë vend kemi hasur në prova që e vërtetojnë dyshimin tonë dhe pas konsultimit me Prokuror, njerëzit që janë has aty janë largu nga ai vend dhe ajo ndërtesë është mbyllë deri në verifikim të plotë të fakteve”, ka thënë ai.

Për mbylljen e këtij objekti ka reaguar partia Lista Srpska, e cila pretendoi se Administrata Tatimore, siç iu referua, u mbyll “dhunshëm dhe ilegalisht”.

Kjo parti ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po e bën për fushatë zgjedhore.

“Duke mbyllur ilegalisht dhe dhunshëm Administratën Tatimore në Mitrovicën e Kosovës dhe duke hedhur në rrugë 80 punëtorë serbë, Albin Kurti vazhdoi fushatën e tij zgjedhore, të cilën e zhvillon ekskluzivisht pas shpinës së popullit serb, sepse nuk ka çfarë t’u ofrojë votuesve të tij”.

Gjithashtu, Lista Srpska pretendoi se “ka keqtrajtim të njerëzve që kanë kaluar gjithë jetën e tyre të punës në këtë godinë dhe i kanë shërbyer të gjitha komuniteteve pa përjashtim”.

“Tashmë sot do të takohemi me punonjësit e prekur të Administratës Tatimore dhe do të diskutojmë me ta të gjitha llojet e ndihmës dhe mbështetjes dhe do t’u përcjellim mesazhin se asnjëri prej tyre nuk do të mbetet pa të ardhurat dhe se ekzistenca e tyre do të jetë e sigurt. Kurti, me njësitë e tij policore dhe ministrat e bindur si Nenad Rashiq, pushton dhe grabit ndërtesat dhe objektet serbe me dhunë, ai nuk mund ta detyrojë popullin serb të largohet nga vatrat e tij shekullore dhe as të pengojë ne dhe shtetin e Serbisë që të ndihmojmë popullin tonë”.

Policia po e heton këtë rast si falsifikim i dokumenteve.

Shpërndaje në: